Nga viti shkollor 2025/2026, dëftesat për arsimin fillor nuk do të jenë më të shtypura, por do të lëshohen në formë elektronike. Ato do të jenë të qasshme në mënyrë digjitale për shkollat e mesme, kur nxënësit do të aplikojnë për regjistrim.
Lajmin e bëri të ditur ministrja e Arsimit, Vesna Janevska, e cila tha se sistemi për lëshimin e dëftesave elektronike është tashmë funksional përmes ditarit elektronik, por zbatimi i plotë do të nisë nga viti i ardhshëm për të lejuar kohë informimi dhe përgatitjeje për prindërit dhe nxënësit.
“Fëmijët dhe prindërit realisht nuk kanë nevojë ta kenë dëftesën në dorë – është më shumë një dokument simbolik për të festuar ose për të reflektuar. Nuk po e zbatojmë këtë vit jo sepse nuk mundemi, por sepse shumë prindër dhe nxënës, sidomos në zonat rurale, nuk kanë pajisje ose qasje në internet. Njohuritë digjitale duhet të përmirësohen. Besoj se vitin e ardhshëm mbi 90% do të jenë në gjendje ta përfundojnë këtë proces në mënyrë elektronike”, deklaroi Janevska.