Përfunduan dje punimet e Samitit të Komunitetit Politik Europian me pjesëmarrjen e 47 liderëve europianë ku u diskutua mbi sfidat më të mëdha që po përballon kontinenti, përfshirë sigurinë, agresionin rus, emigracionin.
Në përfundim të punimeve Kryeministri Edi Rama, së bashku me kryeministren daneze Mette Frederiksen, e vendit mikpritës së presidencës së radhës, dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp.
Në fjalën e tij, Kryeministri Rama theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe përfaqësimit të përbashkët në strukturat e BE-së.
“U bëmë bashkë 54 anëtarë, për të zhvilluar një diskutim të rëndësishëm, intensiv dhe të hapur, për një Evropë të re. Kam vërtet kënaqësi të them që që nga fillimi, në Tiranë kemi një përkushtim për t’i mbajtur vlerat dhe parimet që udhëheqin shoqëritë tona. Jemi pjesë e një tregu 600 milionësh dhe na takon ta shndërrojmë këtë potencial në rezultate konkrete për vendin tonë,” u shpreh ai, duke vënë theksin tek ndërtimi i një “skuadre bashkërenduese” në zyrën e Presidentit të Këshillit Evropian.
Rama njoftoi gjithashtu se në samit u morën vendime konkrete për strukturimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në kuadër të KPE-së.
Kryeministrja daneze Mette Frederiksen theksoi se situata gjeopolitike e ka bërë të domosdoshme forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Evropës.
“Ky forum është shumë i rëndësishëm, sepse Europa po përballet me një sërë sfidash. Ju përmendët disa prej tyre. Ne jetojmë në një botë gjithnjë e më të pasigurt. Rusia po përpiqet të shkatërrojë rendin ndërkombëtar.
Riarmatimi i Europës duhet të jetë prioriteti ynë. Çështja numër një është siguria, dhe kjo vlen edhe për Ukrainën. Duhet të ushtrojmë presion mbi Rusinë përmes sanksioneve më të forta.
Ne përfaqësojmë një treg shumë të madh dhe duhet t’i japim fund varësisë nga nafta dhe hidrokarburet ruse”, u shpreh ajo.
Frederiksen konfirmoi se SHBA ka kërkuar një armëpushim 30-ditor në Ukrainë dhe sinjalizoi se nëse nuk arrihet një marrëveshje, mund të ndërmerren sanksione të reja kundër Rusisë, përfshirë në sektorët e naftës dhe energjisë.
Kryeministri Edi Rama mbështeti idenë për më shumë investime në mbrojtje, por theksoi se Europa nuk duhet të harrojë vlerat që e kanë dalluar gjithmonë.
“Nuk kam asgjë kundër, përkundrazi mbështes plotësisht idenë që Europa duhet të investojë më shumë në kapacitetet e saj të mbrojtjes. Kjo është njëra anë e medaljes. Ana tjetër lidhet me vetë identitetin e Europës, një kontinent që ka qenë gjithmonë përfaqësues i vlerave që të tjerët i kanë pasur zili. Edhe vetë BE është produkt i një ëndrre që dikur dukej fëmijërore, por ndodhi. Armiqtë historikë u bënë aleatë strategjikë.
Kemi një të ardhme që duhet ta mbrojmë. Duhet të punojmë në të dy drejtimet për mbrojtjen dhe për forcimin e vlerave europiane”.
Një tjetër prioritet diskutimeve të samitit të KPE-së ishte emigracioni, që në disa vende është pothuajse i pakontrolluar dhe me pasoja të shumta sipas kryeministres danaze Mette Frederiksen.
Danimarka do të mirëpresë Samitin e ardhshëm të Komunitetit Politik Evropian në vjeshtën e këtij viti. Të dy liderët shprehën besimin se ky proces do të forcojë më tej bashkëpunimin mes shteteve evropiane, përballë një realiteti global gjithnjë e më të ndërlikuar.