Zgjedhjet lokale në Maqedoni karakterizohen jo vetëm me përballje politike, por edhe me etnike, raporton Rajoni.net. Ka disa komuna ku votat ndahen në vija etnike, e ndër ta, më e rëndësishmja është komuna e Kërçovës. Kjo pasi Kërçova është një nga komunat me territor më të madh në Maqedoni, me resurse të shumta natyrore. Në zgjedhjet e fundit lokale, kishte vetëm dy kandidatë për kryetar komune, njëri nga BDI dhe tjetri nga VMRO-DPMNE. Votuan gjithsej 35.257 votues, ndërsa fitorja i takoi BDI-së me një dallim të ngushtë prej rreth 2000 votave, raportoi, Rajoni.net.
LSDM atëherë ndoqi vijën etnike, duke iu bindur thirrjeve të Nikolla Gruevskit e duke mos paraqitur kandidaturë për kryetar komune. Atëherë, LSDM gjithasthu bënte thirrje që të votohet kandidati maqedonas, në mënyrë që Kërçova të mos udhëhiqet nga një shqiptar. Edhe kësaj radhe LSDM po ndjek një politikë të njëjtë, ndonëse përpiqet të deklarohet si parti multietnike. Kjo parti sërish nuk ka kandiduar kandidat, ndërsa nuk ka guxim që publikisht të bëjë thirrje që të përkrahet kandidati shqiptar. Madje, edhe vetë udhëheqësit e LSDM-së e dijnë se një maqedonas nuk voton kandidat shqiptar, pasi ata vetë e kishin bërë këtë apel para 4 viteve, raportoi, Rajoni.net. Mashtrimi qëndron në atë se sikur LSDM të kishte kandidat për kryetar komuna, vota maqedonase do të përçahej, duke e lehtësuar fitoren e shqiptarëve në Kërçovë, në këtë rast kandidatin e BDI-së. Duke mos pasur kandidat, LSDM edhe njëherë e lë të pastër ndarjen etnike të votave për t’ia lehtësuar fitoren VMRO-DPMNE-së. Kjo pasi LSDM e di se kësaj radhe BDI do ta ketë tejet të vështirë t’i bindë mërgimtarët për të ardhur e për të votuar, ndërsa janë pikërisht mërgimtarët ata që e bënë dallimin prej 2000 votave në të mirë të BDI-së në zgjedhjet e fundit./Rajoni.net/