Projekti për e- faturën nis këtë verë, ndërsa nga fillimi i vitit 2026 do të aktivizohet periudha testuese me kompanitë. Drejtoria e të Ardhurave Publike paralajmëron se sistemi do të vendoset gradualisht, në bashkëpunim me komunitetin e biznesit, ndërsa zbatimi i detyrueshëm do të nisë në gjysmën e dytë të vitit 2026.
“Zbatimi i detyrueshëm është planifikuar të nisë pasi të sigurohemi që sistemi është i qëndrueshëm dhe i sigurt. Planifikojmë ta fillojmë në tremujorin e tretë të vitit 2026, ndoshta në mënyrë graduale, varësisht nga përdoruesit e sistemit”, tha Elena Petrova, drejtoreshë e DAP-it.
Fatura elektronike do të zëvendësojë plotësisht mënyrën tradicionale të dërgimit dhe pranimit të faturave. Çdo faturë do të dërgohet dhe pranohet në mënyrë elektronike dhe menjëherë do të regjistrohet si dokument tatimor në DAP – ndryshe nga modeli i mëparshëm, ku të dhënat dërgoheshin me vonesë dhe në mënyrë të përmbledhur.
“Mund të them që në përgjithëso se kjo e-faturë si procedurë do të thotë se nuk do të ketë më kompani fantazmë që vjedhin 90, 100, 200 apo 300 milionë euro nga buxheti dhe nga qytetarët. Nëse zbatohet siç duhet, gjë për të cilën nuk dyshoj, do të ketë sukses”, sqaron Hristijan Mickoski, kryeministër.
Përmes sistemit të ri, DAP do të mund të kryqëzojë të dhënat për çdo transaksion, për të zbuluar aktivitete të dyshimta dhe për të përshpejtuar kontrollet. Përveç në luftën kundër krimit, e-fatura pritet të ketë rol të rëndësishëm edhe në kufizimin e ekonomisë gri. Përdorimi i sistemit do të jetë falas për shumicën e kompanive përmes një aplikacioni në web-faqen e DAP-it, ndërsa kompanitë më të mëdha do të kenë mundësi ta integrojnë sistemin në softuerët e tyre ekzistues.