Policia e Vlorës ka reaguar për ngjarjen mbrëmjen e kaluar në Palasë. Sipas njoftimit, po kërkohet jahti në të cilin u raportua se u qëllua me armë. Blutë bëjnë me dije se kanë qenë në ndjekje të mjetit lundrues që nga momenti i sinjalizimit.
Ngjarja ka alamuar pushuesit pasi ka ndodhur përballë një prej plazheve më të frekuentuara në vend. Mësohet se nga jahti janë dëgjuar të shtëna arme që, sipas dëshmitarëve, i ngjanin shkarkimit të një karikatori të tërë.
Në bord ndodheshin një grup personash që kishin ankoruar jahtin pranë bregut dhe po festonin, kur për arsye ende të paqarta u dëgjuan të shtënat, duke shkaktuar frikë dhe panik te pushuesit që ndodheshin në zonë.
Njoftimi i Policisë
Himarë/Informacion paraprak
Rreth orës 21:00 është njoftuar se nga një jaht në det, përballë Palasës, dyshohet se është qëlluar me armë zjarri në ajër.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë Kufitare dhe të Njësisë Policore Detare janë vënë në ndjekje të jahtit.
Njëkohësisht, janë njoftuar edhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë dhe të Stacionit të Policisë Dhërmi, të cilat po kryejnë kontrolle nga toka përgjatë vijës bregdetare.
Vijon ndjekja e mjetit lundrues, me qëllim verifikimin e informacionit dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Në përfundim të operacionit për ndalimin e jahtit dhe të veprimeve të para hetimore do të jepet informacion i plotë për rastin.



