Gazetarja e kronikës, Klodiana Lala, e ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News 24, ka zbuluar detaje të reja nga hetimet më të fundit ndaj rrjeteve kriminale shqiptare të përfshira në trafikun ndërkombëtar të drogës dhe pastrimin e parave.
Sipas Lalës, figura të njohura si Ervis Çela, Franc Çopja, Ermir Ndrejaj (Cinco) dhe të tjerë, janë pjesë e strukturave të fuqishme kriminale, me lidhje të forta në Amerikën Latine, veçanërisht në Paraguay, Kolumbi dhe Brazil.
“Ata bënin jetë luksoze, ndërsa pasurinë e fshihnin në mënyra kreative, si groposje nën ullinj, investime në kriptovaluta apo lingota ari,” – tha Lala, duke shtuar se hetimet kanë zbuluar një mekanizëm të sofistikuar të pastrimit të parave përmes bizneseve të ligjshme, tenderave dhe aktiviteteve financiare të maskuara.
Rastet nga Ervis Çela në Ermir ‘Cinco’ Ndrejaj
Ervis Çela, i dënuar më parë për vrasje dhe i arratisur prej vitesh në Paraguay, sipas Lalas, kishte ndërtuar atje një “perandori të drogës”, duke u kthyer në një nga furnizuesit më të mëdhenj të kokainës në rajon. Pas viteve në Amerikën Latine, ai ishte kthyer në Shqipëri, ku bënte një jetë normale në Peqin, deri në arrestimin e tij në Qeparo, pas kërkesës së SPAK.
“Në trafik ishin përfshirë edhe tre vëllezërit e tij. Paratë ishin investuar në kriptomonedha, në ar, dhe ishin fshehur nën ullinj,” – tha gazetarja.
Një tjetër organizatë e përmendur është ajo e Franc Çopjes, kundërshtar i njohur i Erion Alibejt, ndërsa për këtë grup ka të dhëna se ka pasur bashkëpunim edhe me Ervis Çelën.
Në analizën e saj, Lala u ndal edhe tek Fadil Balla, presidenti i klubit të futbollit Erzeni, i cili ka përfituar tendera nga Bashkia e Shijakut dhe institucione të tjera. Pavarësisht se ndodhej nën hetim, ai arriti të largohej, ndërsa policia rrethoi rezidencën e tij luksoze, por pa sukses.
Sipas saj, në çështjen e Ballës është i përfshirë edhe një punonjës policie i pezulluar, ndërsa policia e kishte monitoruar lëvizjet e tij gjatë një ceremonie familjare.
Në grupin tjetër kriminal përfshihen vëllezërit Hoxhosmani dhe Ermir Ndrejaj, i njohur si ‘Cinco’, që sipas Lalas kishte profil të ulët publik, por ishte një nga drejtuesit kryesorë të trafikut. Ai kishte një pasuri të madhe financiare, jetonte në bregdet dhe gruaja e tij ishte juriste, çka e bënte figurën e tij më pak të dyshimtë.
Ndërkohë, një kushëri i vëllezërve Hoxhosmani dyshohet se kishte planifikuar edhe vrasjen e Lulzim Berishës, kunatit të Plarent Dervishajt, një tjetër figurë kyçe e bandës së Durrësit.
“Pas 20 vitesh, hetimet tregojnë se Dervishaj bashkëpunonte me Hoxhosmanët, që bënin jetë luksoze në Monaco dhe shfaqeshin me makina 500-600 mijë euro,” – theksoi Lala.
Në fund, Lala përmendi edhe një personazh nga Tepelena, Renato Muskaj, për të cilin ka dyshime se ka trafikuar drogë me nëndetëse, një formë ekstreme dhe shumë e sofistikuar e kontrabandës. Ajo tha se hetimet për këtë rast janë ende në faza fillestare dhe pritet të zhvillohen më tej nga autoritetet shqiptare dhe ndërkombëtare.