Që nga e hëna, 55 autobusë të transportuesve privatë do të rikthehen në linjat e transportit publik në Shkup — një marrëveshje që rezultoi nga bisedimet mes autoriteteve të reja të qytetit dhe kompanive private të transportit.
Deri në fund të vitit pritet të aktivizohen edhe 20 autobusë të tjerë, ndërsa përmes Qeverisë planifikohet blerja e 80 automjeteve të reja për Ndërmarrjen Publike “JSP – Shkup” deri në mars 2026.
Përfaqësuesit e transportuesve privatë theksuan se qyteti u detyrohet rreth 180 milionë denarë dhe se presin hapa konkretë për zgjidhjen e borxhit.
Së bashku me drejtuesit e rinj të “JSP”-së, ata do të punojnë për ristrukturimin e linjave dhe përmirësimin e orareve të qarkullimit.
“Transportuesit privatë janë pjesë kyçe e sistemit të transportit publik në Shkup. Do të fusim autobusë ekologjikë dhe linja të reja, që qytetarët të kenë shërbim të rregullt e të sigurt,” deklaroi Jovica Zafirovski, përfaqësues i shoqatës.
Prej gati një viti, Shkupi është përballur me krizë në transportin publik, me greva të përsëritura nga “JSP” dhe kompanitë private, si dhe reduktime të linjave për shkak të mungesës së autobusëve dhe shoferëve.


