Gjykata e Lartë refuzoi sot rekursin e ish-drejtorit të Përgjithshëm të RTSH, Thoma Gëllçi për t’u gjykuar i lirë, duke i dhënë fund shpresave të tij për të qenë i lirë ndërsa procesi gjyqësor vazhdon.
Gëllçi kundërshtoi menjëherë pas arrestimit masën ekstreme të sigurisë, me pretendimin se nuk shfaqte asnjë rrezikshmëri shoqërore.
Por prokurorët e SPAK mendojnë të kundërtën. Tashmë ish-drejtori i RTSH-së, që ka mbajtur pozicione të rëndësishme në administratën publike dhe me njohje po aq të rëndësishme do t’i kalojë në qeli ditët deri kur të merret vendimi.
Por si përfundoi Gëllçi në burg, me gjithë marrëdhënien familjare që pati me Kryeministrin Rama?
Njohja me Olsi Ramën në SHBA dhe rrëfimi i Thoma Gëllçit se si e kishte njohur vëllain e Kryeministrit:
“Tani e mora vesh” – tha Kryeministri Edi Rama kur drejtuesi i emisionit “Zonë e lirë”, Arjan Çani i dha lajmin se SPAK kishte arrestuar ish-drejtorin e RTSH-së Thoma Gëllçi.
Rama nuk foli më gjatë për mikun e tij të vjetër, ndërsa vetë Gëllçi e ka pranuar edhe publikisht miqësinë me vëllezërit Olsi dhe Edi Rama. Në një intervistë televizive, ai kishte pranuar njohjen me vëllezërit Rama që nga koha kur jetonte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Kjo me birra është një foto shumë e vjetër. Kam qenë edhe shumë i shëndoshë në atë kohë. Jam unë, ime shoqe dhe Olsi Rama me të shoqen e tij, por nuk duket aty se e ka zënë Olsi. Kjo foto u keqpërdor dhe u tha se unë kisha lidhje me Olsin dhe ndaj u bëra drejtor. Olsin e kam njohur në SHBA, por prej Edit. Njohje kisha me Edin, që kur punoja te “Zëri i Popullit”. Ai më shante shpesh atje nëpër refleksione kundër gazetës. Ndërsa me Olsin jemi aty pasi ai bëri një operacion të dytë në zemër dhe që i doli me sukses. Ato birrat i morëm sa për foto se ai nuk mund të pinte”, – tregonte Thoma Gëllçi kur ishte ende në krye të RTSH.
Tenderi që e fundosi në RTSH Agro
RTSH Agro është një kanal periferik në listën e platformës së televizionit publik, por për pajisjet e tij ishin paguar 1 milion euro. Në një pjesë të kontratës, sipas prokurorëve ka shkelje të ligjit.
Tenderi për blerjen e pajisjeve për kanalin RTSH Agro me vlerë 86. 908 550, 00 lekë (pa tvsh), afro 1 mln dollarë me TVSH çoi në pranga në muajin tetor të vitit të kaluar ish-drejtorin e RTSH-së, Thoma Gëllçi dhe 3 zyrtarë të këtij televizioni.
Në pranga asokohe ranë edhe 3 anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, konkretisht Julian Tapia, Alban Malaveci dhe Ervin Muraj, të cilët akuzohen për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim. Ndërsa, Gëllçi akuzohet për shpërdorim detyre se ka kryer shkelje ligjore në këtë procedurë prokurimi.
Arrestimi i Thoma Gëllcit erdhi vetëm pak muaj pas vendimit që u mor nga Këshilli Drejtues i RTSH, me votimin pro të tetë anëtarëve për lirimin e tij nga detyra, vendim ky që do t’i hapte rrugë hetimit të thelluar që nxorri në pah grabitjen e parave të shqiptarëve nga drejtuesit e lartë të RTSH.
Pretendimi për gjendjen e rënduar shëndetësore dhe refuzimi i gjykatave
Menjëherë pas arrestimit, ish-drejtori i RTSH, Thoma Gëllçi dhe tre të arrestuarit e tjerë u lanë nga gjykata nën masën e sigurisë ‘arrest me burg’, deri në përfundimin e hetimeve. Por, Gëllçi nuk do të kënaqej më këtë vendim dhe vetëm pak ditë më vonë do të depozitonte në Apelin e GJKKO kërkesën për liri, pasi u la në burg, si i dyshuar për shpërdorim detyre.
Kjo kërkesë u dorëzua në tetor të vitit 2021 në Apel nga avokati i Gëllçit, Dorian Matlia, me argumentin se ish-drejtori i RTSH nuk ka kryer asnjë shkelje të ligjit. Po ashtu Gëllçi thoshte në kërkesë se qëndrimi në qeli i rrezikon jetën, për shkak se vuan nga sëmundje që kërkojnë trajtim të veçantë dhe që nuk ofrohen në qelitë e paraburgimit. Madje, ai ka paraqitur edhe raporte mjekësore që vërtetojnë sëmundjet nga të cilat ai vuan.
Ndërkohë, më 30 tetor të 2021-t, Gjykata e Posaçme e Apelit do të merrte vendimin për të lënë në burg ish-drejtorin e RTSH-së, Thoma Gëllçi dhe tre vartësit e tij deri në përfundim të hetimeve.
Avokati i Thoma Gëllçit, Dorjan Matlija më herët ka pretenduar se ky është një sulm, pasi klienti i tij kishte kërkuar hapjen e garës dhe se do të rikandidonte për postin e drejtorit të përgjithshëm të RTSH.
Ndërkohë, sot Gjykata e Lartë do të merrte vendimin për të rrëzuar rekursin e ish-drejtorit të Radio Televizionit Shqiptar, Thoma Gëllçi, për ndryshimin e masës së “Arrestit me burg”. Togat zeza kanë vendosur që ish-drejtuesi i RTSH do të qëndrojë në burg deri në përfundim të hetimeve për abuzim me fondet publike.
Me vendimin e sotëm të Gjykatës së Lartë, tanimë Thoma Gëllçit nuk i ngelet gjë tjetër veçse ta pranojë atë dhe të presë përfundimin e hetimeve dhe dhënien e vendimit final për dënimin e tij.
Kush është Thoma Gëllçi, ish- zëdhënësi i 3 Kryeministrave:
Thoma Gëllçi ka studiuar gjuhë-letërsi në Universitetin e Tiranës, në periudhën 1980-1984. Nga viti 1985 deri më 1992, ai punoi si gazetar dhe redaktor i kulturës në gazetën Zëri i Popullit, organ zyrtar i Partisë së Punës së Shqipërisë dhe, pas vitit 1991, i Partisë Socialiste.
Në periudhën 1992-1996, ai shërbeu si kryeredaktori i gazetës Zëri i Popullit, gjatë kohës kur Partia Socialiste ishte në opozitë.
Gëllçi shërbeu si zëdhënës i Qeverisë së Pajtimit Kombëtar me Kryeministër Bashkim Fino gjatë periudhës mars-qershor 1997.
Me ardhjen në pushtet të socialistëve, ai shërbeu si zëdhënës dhe drejtues i zyrës së informacionit të kryeministrave socialistë: i Kryeministrit Fatos Nano më 1997-1998, i Kryeministrit Meta më 1999-2002 dhe sërish i Kryeministrit Nano më 2002 deri më 2005.
Pas largimit nga pushteti, në vitin 2005, të PS-së, Gëllçi emigroi në SHBA, nga ku u kthye për të marrë drejtimin e RTSH në maj të 2016 e ndërsa u lirua nga detyra pas 5 vjetësh në maj të 2021. Në vend të tij, u emërua Martin leka.






