Ismajl Kurteshi
Serbëve të Kosovës menjëherë pas lufte u janë siguruar të gjitha të drejtat e njeriut dhe ato kombëtare. Gjuha serbe është bërë gjuhë zyrtare në tërë territorin e Kosovës, përkundër faktit se në Kosovë jetojnë më pak se 5% serbë. Për më tepër, me këtë përqindje të vogël, ata i kanë shkollat në gjuhën e tyre me programe të Serbisë nga çerdhet deri në fakultet. Punësimi i serbëve në institucionet publike të Kosovës është jo vetëm në proporcion me përqindjen e banorëve por shpesh përtej kësaj përqindjeje.
Serbët e Kosovës në shumë fusha janë të privilegjuar si në përfaqësimin në Kuvendin e Kosovës, në Qeverinë e Kosovës, në Gjykatën Kushtetuese dhe bordet e ndërmarrjeve publike e institucioneve të pavarura. Ata pas lufte nuk e kanë krye asnjë obligim ndaj shtetit të Kosovës, nuk i kanë paguar shtetit tatim, nuk kanë paguar për rrymën elektrike dhe as për ujin që e kanë shpenzuar, nuk i kanë regjistruar automjetet për vite të tëra, nuk kanë raportuar për punën e tyre në institucionet e Kosovës. Ata edhe pse i kanë shitur pronat e tyre para e pas luftës, përfitojnë shtëpi falas, të ndërtuara nga buxheti i Kosovës, si në kohen e kolonizimit në mes të dy Luftërave Botërore. Pra, serbët e Kosovës i gëzojnë të gjitha të drejtat dhe shumë privilegje.
Komunat me shumicë serbe nuk e kanë asnjë pengesë për t’u bërë pjesë e asociacionit ekzistues të komunave të Kosovës, disa prej tyre madje edhe kanë qenë pjesë e këtij asociacioni, deri në momentin kur Serbia ka kërkuar të tërhiqen. Bazuar në këto që u thanë, qytetarët serbë dhe as komunat me shumicë serbe nuk kanë nevojë për një bashkësi të komunave një etnike, e aq më pak për bashkësinë që e dizajnon Serbia, sepse ata nuk do të përfitojnë asgjë më shumë nga asociacioni përveçse të bëhen instrumente të politikave kundër shtetit të Kosovës nga ana e Serbisë.
“Zajednica” është projekt i shtetit të Serbisë. Serbia nuk po e bën këtë bashkësi për serbët e Kosovës por për realizimin e planeve të saja hegjemoniste të cilat as nuk po i fshehë.
Që nga mesi i viteve 90-ta, kur filloi shthurja e ish-Jugosllavisë, ndarja e Kosovës ishte bërë qëllimi parësor i politikës serbe. Vlen të përmenden planet e Akademisë serbe, akademikëve: Dobrica Çosiqit, Branimir Krstiqit, Aleksandër Despiqit, Stavan Majstorov, Dushan Batkoviq, Institutit për studime gjeopolitike në Beograd deri te Plani i Presidentit aktual të Serbisë Nikoliq i miratuar në Kuvendin e Serbisë në Janar të 2013 si Rezolutë dhe e mbështetur në Platformën politike të Serbisë për bisedimet me Kosovën, ku parashikohen pikë më pikë çfarë tani përmbajnë marrëveshjet e Brukselit.
Ish kryeminstri serb Zoran Gjingjiq e kishte të përpunuar strategjinë për ndarjen e Kosovës. Ai kishte propozuar: ndarje territoriale; garanci efikase për serbët që mbesin nën pjesën shqiptare; status të veçantë të objekteve fetare.
Kurse Plani i ish-presidentit serb Boris Tadiqit, parasheh formimin e entitetit serb në komunat multietnike, por me shumicë të theksuar serbe. Këtyre komunave do të ju garantoheshin lidhje të drejtpërdrejta me Beogradin. Serbët do të kishin të drejtën në policinë lokale e jurisprudencë si dhe në vetë administrimin lokal.
Vendimet e Kuvendit të Kosovës, do të jenë valide vetëm nëse për ato voton edhe shumica e deputetëve serbë. Pjesë e etnitetit serb do të ishin edhe qendrat më të rëndësishme të besimit ortodoks në Kosovë. Plani i Qeverisë serbe për Kosovën, më shumë se autonomi, më pak se pavarësi, parasheh autonomi për serbët e Kosovës në kuadër të Kosovës, ndërsa për Kosovën autonomi në kuadër të Serbisë.
Zyrtarët ndërkombëtarë që këmbëngulnin në shpalljen e Kosovës si shtet multietnik edhe pse 95% e qytetarëve të Kosovës janë shqiptarë po i përkrahin e miratojnë në vazhdimësi kërkesat serbe për ndarje në baza etnike. Edhe pse në lidhje me kërkesat e paarsyeshme të Serbisë Drejtori i Iniciativës Ballkanike të Institutit Amerikan për Paqe, Daniel Server, me kohë pati tërhequr vërejtjen se serbët në emër të decentralizimit po mundohen ta ndajnë Kosovën në baza etnike. Server ndër të tjerat pati thënë edhe se, “Ndarja në vija etnike nuk është zgjidhje për Kosovën…, ky nuk është parim në harmoni me standardet moderne të të drejtave të njeriut”.
Në bazë të kërkesës së adresuar përmes Deklaratës Presidenciale të Këshillit të Sigurimit, më 30 prill 2004, u themelua grupi i Punës për Qeverisjen Lokale i bashkëkryesuar nga UNMIK-u dhe Institucionet e Kosovës. Dokumenti kornizë i këtij grupi synonte qeverisje lokale më të mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës përmes: Transferimit të pushtetit nga qendra në komuna; Përcaktimit të rregullave të qarta mbi ndarjen e kompetencave, në mes të pushtetit qendror dhe atij lokal; Krijimit të një sistemi efikas të mbikëqyrës.
Duke pasur parasysh rëndësinë e këtij procesi për të ardhmen e vendit, Kuvendi i Kosovës në vitin 2005 ka nxjerrë dhe miratuar 34 rekomandime. Po i përmend disa nga ato rekomandime që edhe sot janë në fuqi por nuk po respektohen: a. raportet midis nivelit qendror dhe lokal duhet të definohen qartë, b. komuniteteve pakicë nuk duhet t’u ofrohet pushtet veto-je, c. të gjitha komunave duhet t’u barten kompetenca të njëjta, d. policia nuk është kompetencë e përshtatshme për t’u bartur në nivelin lokal, e. Pilot-projektet nuk duhet të kenë lidhje territoriale me njëra-tjetrën, f. Asnjë pilot-projekt nuk do të krijohet në vendet ku ekzistojnë strukturat paralele, g. Riorganizimi territorial nuk duhet të bazohet mbi kriterin etnik.
Cilat kanë qenë planet e zgjidhjet e këtyre që e mbajnë vetën për drejtues të Qeverive të Kosovës nga shpallja e pavarësisë e këtej? Sepse në çdo marrëveshje e negociatë po gjejmë vetëm gjurmë të planeve e memorandumeve të Serbisë e asnjë të Kosovës. Përfaqësuesit e Kosovës në Bruksel në momentin kur kanë pranuar të negociojnë me Serbinë për çështje të brendshme të Kosovës, kanë hequr dorë nga pavarësia e Kosovës. Marrëveshjet që ata i kanë nënshkruar në Bruksel janë prapakthim i madh politik e diplomatik.
Kryeministri Mustafa publikisht është zotuar se “Zajednica” nuk do të ketë kompetenca ekzekutive. Por ky njeri jo vetëm se ka nënshkruar një dokument që i garanton “Zajednices” kompetenca ekzekutive e Serbisë sovranitet në një pjesë të territorit të Kosovë, por pas kthimit nga Brukseli filloi të fyej e kërcënoj secilin që doli kundër “Zajednicës”. Se Isa Mustafa nuk denjon t’i mbrojë interesat e kombit kjo dihet që nga vitet tetëdhjeta, por na habiti ky fjalor i rrugëve e sjellje kapadaiu, nga një profesor e politikan me përvojë që kulmoi në vitin 1989, kur shqiptarët përjashtoheshin nga puna e persekutoheshin masivisht. Kjo na bën të dyshojmë se mos profesori – politikan, e gëlltiti pa vetëdije ndonjë substancë që ja turbullon mendjen e që e bëri të nënshkruaj e flasë gjëra që as nuk nënshkruhen e as nuk fliten.
Sa i përket Hashim Thaçit e Edita Tahirit, ata janë specializuar të nënshtrohen përballë Serbisë në Bruksel e ta mashtrojnë popullin në Kosovë. Sipas tyre Serbia e ka njohur Pavarësinë e Kosovës nja 15 herë, institucionet e Kosovës e kontrollojnë çdo cep të vendit, footnotën do ta shkrinin rrezet e para të diellit që në pranverën e 2012-tës, liberalizimi i vizave ndodh çdo tre muaj, kurse integrimi i Kosovës në BE është çështje ditësh. Mirëpo këta bashkë me Isa Mustafën e kanë humbur besimin e qytetarët, prandaj deklaratat e ndonjë ndërkombëtari për bashkëpunimin e mirë të tyre për të çuar ujë në mulli të Serbisë janë i vetmi ngushëllim.
Si do që të jetë “Zajednica” që po këmbëngul Serbia nuk do të kalojë. Komunat me shumicë Serbe mund të bëhen pjesë e asociacionit ekzistues të Komunave ose ta formojnë një asociacion identik. Serbisë do të duhej t’i mohohej e drejta e ndërhyrjes në Kosovë. Udhëheqësit që nuk janë të zotët për të mbrojtur sovranitetin e vendit duhet të shkojnë. Qeveritarët aktual po e dëshmojnë këtë për çdo ditë.
*Deputet i Lëvizjes VETËVENDOSJE!