Palët negociuese për zgjidhjen e kontestit bilaterale sot në Nju Jork zhvillojnë raundin e ri të bisedimeve me ndërmjetësim të të dërguarit special, Metju Nimic, në përpjekje për të tejkaluar dallimet rreth kontestit shumëvjeçar për emrin. Ministri i Jashtëm grek, Nikos Kocias, në deklaratën e dhënë në prag të këtij takimi është shprehur indiferent sa i përket pritjeve rreth raundit të ri. Ai pas takimit me sekretarin gjeneral të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guteresh, tha për mediat se nuk është as optimist dhe as pesimist por, është i interesuar që kontesti të zgjidhet.
Nikos Kocias, Ministër i Jashtëm i Greqisë
“Unë them se nuk jam as optimist as pesimist, por kam vullnet për të gjetur zgjidhje. Ndërsa duhet edhe pala tjetër të ketë pragmatizëm dhe realizëm që të gjejë zgjidhje. Zgjidhjet janë zgjidhje me kompromis. E di se shumë forca në të dyja shoqëritë do të preferonin zgjidhje sipas vullnetit të tyre, por në raportet ndërkombëtare nuk ekziston lloj i tillë i zgjidhjes”.
I pyetur rreth deklaratave të palës negociuese të Maqedonisë se procesi është pothuajse i përfunduar, Kocias tha se nuk mbetet asgjë tjetër përpos ta dëshmoj atë gjatë kohës së negociatave.
Nikos Kocias, Ministër i Jashtëm i Greqisë
“Nga Nimici presim mençurinë e tij gjatë kohës së negociatave. Negociatat janë të ndara në dy pjesë, ata mes ministrave të Punëve të Jashtme ku do të diskutohet për çështjet qëndrore politike dhe mes grupeve teknike”.
Shefi i diplomacisë greke ka lënë hapur mundësinë që negociatat të zhvillohen vetëm një ditë dhe jo siç ishte paralajmëruar më herët që palët të zhvillojnë takime më 24 dhe 25 maj.
https://www.youtube.com/watch?v=scCI9jiS5wc

