Kryetari i Komunës së Gostivarit, njëkohësisht kandidat, Nevzat Bejta, zhvilloi sot takime me banorë të lagjes Beg të qytetit.
Në takimet e përditshme me qytetarët gjatë fushatës, ai sot u ndal te decentralizimi dhe ekonomia.
“Sot vizitova me kënaqësi një fabrikë tekstili në Gostivar. Dihet, ekonomia nuk varet 100% nga pushteti lokal. Megjithatë ne kemi dhënë 100% të mundësive tona dhe ia kemi dalë të kemi ndikim pozitiv në ekonominë e Gostivarit. Këtë, e kemi arritur së bashku! Së bashku, kemi arritur të sigurojmë dy investime të rëndësishme angleze, një nga të cilat është tani realitet” u shpreh Bejta.
Ai tha se punët e Komunës së Gostivarit janë bërë pranë dhe në bashkëpunim me qytetarët. Ai gjithashtu përmendi plane konkrete për të ardhmen.
“Së bashku, jemi bërë më tërheqës për bizneset sepse kemi rregulluar qytetin. Tani do të përcaktojmë zonë të lirë ekonomike si dhe do të punojmë për më shumë decentralizim. Do të këtë edhe bashkëpunim të frytshëm me qeverinë tonë reformatore. Por decentralizimi do të na bëjë edhe më shumë zotë të punëve tona në qytetin tonë. Shpesh ata që jetojnë në Shkup nuk i kuptojnë qytetarët nga afër. Së bashku, drejt Gostivarit të Nesërm, me qendër ekonominë lokale dhe punësimin!” ftoi Bejta qytetarët.
Nevzat Bejta po zhvillon një fushatë novative ku qytetarët i takon drejtpërdrejt e nuk pret që ata të shkojnë në shtabet e partisë.

