Lagja Banjeshnicë e njohur si lokalitet bastion i BDI-së, sot ishte në agjendën e vizitave të Kryetarit të Komunës së Gostivarit njëherit kandidat, z. Nevzat Bejta.
Në prani të banorëve të lagjes dhe në një atmosferë impozante, Bejta prezantoi planet për Gostivarin e nesërm, ndërkaq numëroi edhe projektet e realizuara në katër vitet e kaluara.
“Sot vizituam lagjen Banjeshnicë. Ashtu siç na presin krahëhapur qytetarët në vendbanimet e tjera, edhe këtu gjetëm ngrohtësinë dhe mbështetjen nga ana e banorëve. Ata shprehin kënaqësinë e tyre për projektet që realizuam dhe na përkrahin për programin premtues e ri 2017 – 2021. Programin e krijuam në koordinim me qytetarët dhe kemi evidentuar të gjitha kërkesat e tyre. Në planet e reja kemi paraparë riasfaltimin e rrugës nga rruga e Beliçicës për në Banjicë përreth varrezave myslimane të Romëve, gërryerjen dhe asfaltimin e rrugës lokale, kanalizimi nga xhamia e Rinisë deri tek fabrika Tullana, si dhe rikonstruimin e kanalit për ujitjen e fushës në fshatin Bajnicë – Banjeshnicë – Turçan i Vogël”, tha Bejta, duke shtuar që gjatë mandatit të ri do të vendosen shportatë vogla për mbeturina përgjatë rrugës Beliçica.
“Kemi paraparë edhe ndërtimin e ujësjellësit, respektivisht linjën e re Ø-100 mm në kryqëzimin mes Kej Vardar-it dhe “Banjeshnica”, ndërtimin e këndit të lojërave për fëmijë pranë terrenit sportiv te ura në rrugën Beliçicë dhe që do të shfrytëzohet nga lagjet përreth dhe po ashtu hapjen dhe zgjerimin e rrugës përreth lumit Vardar nga Ura e rrugës Beliçicë deri tek ura e Gjyqit, rrugë kjo që do tu shërben edhe banorëve të kësaj zone”, deklaroi Bejta.
Edhe në takimin me banorët e lagjes Banjeshnicë, Bejta ndau raportin për punët e kryera në mandatin 2013 – 2017 dhe programin parazgjedhor 2017 – 2021.