Secili prej nesh duhet të jetë zëri i ndryshimit dhe t’i përgjigjet thirrjes për pjesëmarrje kolektive, duke u transformuar nga pranimi pasiv në ndërtimin e një shoqërie pa norma shoqërore të dëmshme dhe pa dhunë.
Shkruan: d-r Afrodita Shala
Kombet e Bashkuara në Maqedoninë e Veriut, në partneritet me Delegacionin e Bashkimit Evropian dhe OSBE-në në Shkup, me pjesëmarrjen e partnerëve të shumtë ndërkombëtarë dhe kombëtarë, këtë vit gjithashtu morën pjesë në mënyrë aktive në fushatën “16 ditë aktivizëm kundër dhunës me bazë gjinore”, e cila filloi më 25 nëntor, Ditën ndërkombëtare për eliminimin e ehunës ndaj grave dhe vajzave, dhe zgjat deri më 10 dhjetor – Dita ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
Qëllimi i fushatës është krijimi i një platforme unifikuese ku të gjithë mund të identifikohen me qëllimin e përbashkët dhe të luftojnë për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave dhe vajzave. Tema globale e këtij viti është “Investoni për të parandaluar dhunën ndaj grave dhe vajzave”.
Dhuna me baza gjinore është shkelje e të drejtave të njeriut. Nëse rreth gjysma e popullsisë janë gra dhe nëse në vendin tonë rreth gjysma e vajzave dhe grave të moshës 15 deri në 49 vjeç i janë nënshtruar një forme të dhunës, atëherë është e qartë se sa serioze dhe e rëndësishme është kjo çështje. Dhe këto janë vetëm numra! Çfarë nënkuptojnë këta numra dhe çfarë pasojash lë dhuna te gratë, fëmijët, familjet dhe shoqëria është shumë e vështirë të matet ose të përcaktohet sasia.
Në mënyrë shtesë, në vitet e kaluara, me zhvillimin e teknologjisë dhe përdorimin e rrjeteve sociale dhe mediave të internetit, krijohet një platformë dhe hapësirë e re për lloje të ndryshme të dhunës nga dhuna “tradicionale”, fizike, e cila merr një hov të madh dhe prek të gjitha kategoritë e popullsisë, të rinjtë, gratë, të moshuarit. Në nivel global, analizat tregojnë se 85 përqind e grave në mbarë botën raportuan se ishin dëshmitare të dhunës onlajn dhe 40 përqind se ato ishin personalisht viktima të një dhune të tillë.
Normat e forta patriarkale me fuqi të pabarabartë midis burrave dhe grave kontribuojnë shumë në këtë situatë. Megjithatë, një gjë e tillë në asnjë moment nuk na dekurajon, por, përkundrazi, na motivon të vazhdojmë të punojmë edhe më me përkushtim drejt përforcimit të vetëdijes dhe njohjes që do të çojë në raportimin e dhunës. Të gjithë këtë mund dhe duhet të bëjmë së bashku, me veprim të përbashkët dhe njohje të dhunës me bazë gjinore ndaj grave, si dhunë e drejtuar ndaj një gruaje sepse ajo është grua, ose që ndikon në mënyrë disproporcionale tek ajo. Dhuna me bazëgjinore ndaj grave përfshin shkaqet dhe rezultatin e marrëdhënies së pabarabartë të pushtetit midis grave dhe burrave dhe është rezultat i një problemi shoqëror dhe jo individual.
Është jashtëzakonisht e rëndësishme të kemi partneritete të forta në përpjekjet për të luftuar dhunën me bazëgjinore. UNFPA, së bashku me agjencitë e tjera të Kombeve të Bashkuara, po punon për këtë temë të rëndësishme duke mbështetur dhe bashkëpunuar me institucionet përgjegjëse të shtetit, sektorin civil, organizatat ndërkombëtare, akademinë, sektorin privat, mediat – duke filluar nga projektet e zhvillimit, përmes programeve të përqendruara në barazinë gjinore dhe çrrënjosjen e dhunës me bazë gjinore.
Gjithkush ka rolin dhe përgjegjësinë e vet dhe kjo duhet të bartet nga të gjithë. Promovimi i barazisë gjinore, përmes qasjes në shëndetin dhe të drejtat seksuale dhe riprodhuese, të drejtës për siguri dhe jetë pa dhunë, arsimit të përmirësuar, politikave të përshtatshme në vendin e punës, do të rezultojë në familje më të shëndetshme, ekonomi më të forta dhe shoqëri më rezistente.
Sigurisht, problemi i dhunës me bazë është kompleks dhe nuk mund të zgjidhet thjesht dhe menjëherë. Ai ka ekzistuar për një kohë të gjatë dhe kudo në shkallë globale dhe tejkalon kufijtë gjeografikë, kulturorë dhe socio-ekonomikë. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se lufta duhet të ndalet dhe se nuk janë arritur ndryshime të rëndësishme në vitet e fundit.
Është e nevojshme të investohet kryesisht në burimet njerëzore dhe materiale, të cilat do të tregojnë se kjo temë është në krye të rendit të ditës. Ka investime nga sektori publik, por edhe nga sektori privat, veçanërisht mbështetje afatgjatë për organizatat e shoqërisë civile. Ne duhet t’u mundësojmë grave të mbijetuara të dhunës të angazhohen në tregun e punës dhe të arrijnë pavarësinë ekonomike dhe sigurinë si çelësi që çon në një rrugëdalje nga cikli i dhunës. Secili prej nesh duhet të jetë zëri i ndryshimit dhe t’i përgjigjet thirrjes për pjesëmarrje kolektive, duke u transformuar nga pranimi pasiv në ndërtimin e një shoqërie pa norma shoqërore të dëmshme dhe pa dhunë.
Edhe më urgjente është nevoja për të bashkuar resurset dhe përpjekjet jo vetëm në Maqedoninë e Veriut, por edhe në rajon dhe globalisht, në mënyrë që të parandalohet dhuna digjitale. Kjo dhunë nuk njeh kufij dhe platformat digjitale duhet të ofrojnë mbrojtje dhe vetëdijësim transparent për përdoruesit e të drejtave të tyre, për t’u dhënë përdoruesve të drejtën të zgjedhin se çfarë përmbajtje shohin dhe si do të përdoren të dhënat e tyre.
16 ditë nuk janë të mjaftueshme, lufta kundër kësaj praktike të dëmshme shtrihet përtej një kornize të tillë kohore, është çdo ditë, kudo dhe nga të gjithë. Megjithatë, më shumë se kurrë, këto ditë janë një katalizator për të frymëzuar hapa konkretë drejt përfundimit të dhunës me bazëgjinore.
Autorja është shefe e zyrës së Fondit të Kombeve të Bashkuara për Popullsinë – UNFPA në Maqedoninë e Veriut