Pushimet verore të gjykatësve përfunduan, gjykatat në gjithë vendin tashmë funksionojnë me staf të kompletuar, ndërsa seancat caktohen çdo ditë. Rasti i parë me interes të gjerë për publikun është caktuar për nesër. Bëhet fjalë për gjyqin kundër ish-drejtorit të Klinikës së Geriatrisë, i cili përfundoi në bankën e të akuzuarve pasi kishte kërkuar 100.000 euro për pranimin e një pacienti që ndodhej në gjendje të rëndë. Seanca do të mbahet në Gjykatën Penale në Shkup.
Në sallën e re më të madhe të gjyqit në Idrizovë, më 2 shtator do të vazhdojë gjyqi për lëndën “Aditivët”, rast në të cilin, sipas Prokurorisë, gjatë prokurimit të aditivëve të dyshimtë për TEC Manastir dhe TEC Negotinë është shkaktuar dëm mbi 6,5 milionë euro. Ka aktakuzë kundër 31 personave.
Për më 3 shtator, në Gjykatën Penale janë caktuar dy seanca me interes për publikun – do të vazhdojë gjyqi kundër babait të Vasil Jovanovit, 20-vjeçarit i cili në fund të janarit, në vendkalimi për këmbësorët, në dritë të kuqe dhe nën ndikimin e alkoolit, aksidentoi për vdekje 22-vjeçaren Frosina Kulakova nga Negotina. Babai i Vasilit akuzohet për shkaktim të veprave të rënda kundër sigurisë së përgjithshme. Seanca e dytë të njëjtën ditë është kundër Rade Trajkovskit – Shtekli edhe nëntë personave të tjerë për shitje droge, ndërsa gjyqtari do të duhet të vendosë nëse Shtekli është në gjendje ta ndjekë procesin gjyqësor, pasi mbrojtja ka pohuar se ai ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Ndërkohë, më 5 shtator do të fillojë gjyqi për rastin në publik të njohur si Onkologjia, pasi seanca e parë muajin e kaluar u shty. Në këtë rast të akuzuarit kryesorë janë ish-drejtorët e klinikës, si dhe katër mjekë të cilët ngarkohen për trajtim të pakujdesshëm. Dy javë më vonë, më 22 shtator, pritet të vazhdojë edhe seanca e përsëritur për rastin e njohur në publik si “Besa Trans”, pra për aksidentin rrugor që ndodhi në Bullgari para 4 vitesh, ku humbën jetën 45 persona. Në këtë rast i akuzuari kryesor është pronari i kompanisë, Bekim Haxhiu, i cili ndiqet penalisht se ka transportuar persona me licencë të falsifikuar për transport ndërkombëtar. Ndërkohë, publiku pret edhe caktimin e datës për gjyqin mbi zjarrin në klubin e natës Puls në Koçan, kur në një nga tragjeditë më të mëdha në vend humbën jetën 62 persona. Aktakuza për këtë rast kundër gjithsej 37 personave fizikë dhe juridikë ende është në fazën e shqyrtimit nga Gjykata Penale në Shkup, dhe sapo të miratohet do të caktohet te gjyqtari që do ta udhëheqë lëndën. /Alsat.mk