“I njoftojmë miqtë, shokët, familjarët dhe të gjithë dashamirët e tjerë se falja e xhenazes dhe varrimi i Hoxhës Sead Ajruli do të bëhet nesër (e mërkurë – 05.09.2018) pas namazit të ikindisë (17.00 h.) në f. Kamjan” – shkruajnë familjarët e hoxhës së ndjerë, Sead Ajruli.
Sead Ajruli lindi më 17 dhjetor të vitit 1974 në fshatin Kamjan të rrethinës së Tetovës. Shkollimin e mesëm e ndoqi në medresenë “Isa Beu” në Shkup në vitet 1989-1993, për të vazhduar pastaj studimet në Arabinë Saudite, në fakultetin “Al-Imam” në Riad, të cilin e përfundoi në vitin 2005. Pas përfundimit të studimeve, u kthye në vendlindje për të filluar kontributin e tij për vendin dhe shoqërinë.
Së bashku me teologë dhe shokë të tjerë, ai u aktivizua në Shoqatën Kulturore “Vizioni M”, ku jepte kontributin e tij të çmuar në edukimin e gjeneratave të reja. Ajruli njashtu ishte i inkuadruar edhe në aktivitetet humanitare të Organizatës Kulturore Humanitare “Merhamet”, duke u shtrirë dorën skamnorëve dhe nevojtarëve të rajonit të Pollogut dhe më gjerë. Përgjatë kësaj periudhe Sead Ajruli kreu edhe studimet e magjistraturës në Universitetin Shtetëror të Tetovës, duke marrë titullin: “Magjistër i Gjuhës dhe Letërsisë Arabe”.
Në memoriet e nxënësve të tij, banorëve të fshatit Kamjan, por edhe të gjithë atyre që patën rastin ta njohin, Sead Ajruli gjithnjë do të mbetet shembull dhe burim frymëzimi, një njeri i devotshëm, por edhe i sinqertë, i përkushtuar në punë por edhe gazmor, pishtar ndriçues dhe kundërshtar i përbetuar i çfarëdolloj padrejtësie.