Alternativa e Afrim Gashit është në fund të konsultimeve me organet partiake mbi listën zgjedhore. Sipas informatave jozyrtare, marrim vesh se kryetari Gashi ka ftuar mbledhje të Kuvendit Qendror për ditën e mërkurë (11.03.2020) në orën 19.00 në selinë qendrore të partisë, ku pritet edhe të merren vendimet e fundit se me cilat emra Alternativa do të jetë në listën zgjedhore të koalicionit.
Sipas të njëjtit burim, i cili dëshiron të mbetet anonim, marrim vesh se kryetari i AlternAtivA-s, Afrim Gashi, pas konsultimeve të fundit me organet partiake dhe me partnerin e koalicionit – Aleancën për Shqiptarët, pritet që nesër, pas mbledhjes së Kuvendit Qendror, t’i shpalosë emrat përfundimtarë për listat zgjedhore.
Jozyrtarisht, thuhet se listës së Alternativës në zonën 6 zgjedhore do t’i prijë ministri aktual i Kulturës, Hysni Ismaili, i cili gëzon reputacion të fuqishëm në këtë zonë zgjedhore, ndërsa në zonën e 2-të zgjedhore thuhet se listës do t’i prijë lideri i AlternAtivA-s, Afrim Gashi.