Gjoba dhe sanksione të tjera janë parashikuar për shkeljet e trafikut që do të evidentohen përmes sistemit “Qytet i Sigurt”, i cili nga dje ka filluar të funksionojë në fazë provuese në Shkup. Njoftimet për shkeljet e kryera qytetarët do t’i marrin përmes SMS porosive në telefonin mobil dhe në adresën elektronike, ndërsa afati për pagesë është tetë ditë. Vetëm në 12 orët e para nga nisja e sistemit dje janë regjistruar 65.000 shkelje, prej të cilave 2.800 për kalim në të kuqe dhe 1.000 për automjete të paregjistruara.
Me ndryshimet e fundit të Ligjit për Sigurinë e Trafikut Rrugor, shkeljet e dokumentuara përmes mjeteve teknike – kamera, sensorë dhe pajisje regjistrimi – llogariten si prova të vlefshme, thekson Ministria e Punëve të Brendshme, pas fillimit të periudhës njëmujore provuese të sistemit “Qytet i Sigurt”, përmes të cilit shkelësit e trafikut marrin njoftim për kundërvajtjen e evidentuar.
Në bazë të dispozitave ligjore, MPB-ja ushtron kontroll mbi drejtuesit e mjeteve dhe pjesëmarrësit e tjerë në trafik. Kontrolli kryhet përmes vrojtimit të drejtpërdrejtë dhe me përdorimin e mjeteve dhe pajisjeve përkatëse teknike. Me ndryshimet e reja ligjore, çdo shkelje e dokumentuar përmes pajisjeve teknike do të trajtohet si provë e vlefshme, dhe shkelësit e evidentuar nga sistemi “Qytet i Sigurt” do të sanksionohen sipas dispozitave për tejkalimin e shpejtësisë së lejuar, pa tolerancë – qoftë brenda apo jashtë vendbanimeve.
Gjatë periudhës provuese do të evidentohen shkelje si: tejkalimi i shpejtësisë së lejuar, kalimi në semafor të kuq, afati i skaduar i lejes së qarkullimit dhe parkimi i parregullt. Në fazën e ardhshme pritet zgjerimi i listës së shkeljeve që do të regjistrohen nga sistemi elektronik.
Për shkeljet e dokumentuara përmes “Qytet i Sigurt”, pronari i automjetit me të cilin është kryer shkelja do të marrë SMS dhe email në bazë të të dhënave të deklaruara gjatë regjistrimit të mjetit, së bashku me një link për shkarkimin e procesverbalit dhe urdhërpagesës për kundërvajtje.
Nëse personi e pranon përgjegjësinë dhe e paguan gjysmën e gjobës brenda tetë ditëve nga marrja e njoftimit, ai përfiton zbritje ligjore. Pas kalimit të afatit prej tetë ditësh, gjoba mund të paguhet në tërësi brenda tetë ditëve të tjera, para nisjes së procedurës së përmbarimit. Pas pagesës në afat, personi është i detyruar të paguajë edhe shpenzimet e procedurës.
Të huajt, si dhe shtetasit e Maqedonisë së Veriut që me largimin nga vendi tentojnë të shmangin pagesën, janë të detyruar të paguajnë gjobën menjëherë – e më së voni brenda tetë ditëve nga marrja e njoftimit. Nëse gjoba nuk paguhet, MPB-ja ia dërgon lëndën organit kompetent për përmbarim. Për shkeljet ku parashikohet edhe ndalim i të drejtës për drejtim të automjetit, pavarësisht pagesës në afat, MPB-ja do të parashtrojë kërkesë për hapje të procedurës përkatëse në gjykatë.
Gjobat mund të paguhen në mënyrë elektronike, përmes linkut të dërguar në njoftim. Urdhërpagesa gjenerohet automatikisht me numrin e procesverbalit dhe shumën e saktë në denarë. Pas pagesës, MPB-ja merr menjëherë njoftim elektronik se gjoba është paguar.
Kujtojmë se gjobat do të shqiptohen me shkeljet që do të bëhen nga 1 janari.


