Banka Popullore (BP) e Maqedonisë së Veriut dhe Banka Qendrore e Kosovës nënshkruan Memorandum për bashkëpunim dhe shkëmbim të informacioneve. Me të, informuan sot BP, janë përfshirë disa fusha për shkëmbimin e përvojave dhe njohurive, si stabiliteti financiar dhe masat makroprudenciale, mbikëqyrja dhe implementim të standardeve ndërkombëtare, sisteme të pagesave, mbrojtja e konsumatorëve dhe shkëmbim të të dhënave statistikore.
Memorandumin e kanë nënshkruar guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angellovska-Bezhoska dhe guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, gjatë vizitës së punës së delegacionit të Maqedonisë së Veriut në Prishtinë, në të cilën mori pjesë edhe zëvendësguvernatori i Bankës Popullore, Fadil Bajrami.
Guvernatorja Angellovska-Bezhoska dhe guvernatori Ismaili në nënshkrimin thanë se memorandumi është rezultat i marrëdhënieve miqësore ndërmjet dy bankave qendrore dhe se është bazë për thellimin e bashkëpunimit dhe realizimin e suksesshëm të projekteve dhe iniciativave që do të dalin në periudhën e ardhshme.
Gjatë vizitës në Kosovë, delegacioni i Maqedonisë së Veriut i kryesuar nga guvernatorja, ka zhvilluar disa takime me guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, zëvendësguvernatorët dhe përfaqësues të lartë të bankës.
“Në kuadër të këtyre takimeve u diskutuan për synimet dhe sfidat strategjike në bankingun qendror modern, stabiliteti financiar dhe masat makroprudenciale, ndërsa përfaqësuesit e Bankës Popullore i prezantuan masat makroprudenciale që janë ndërmarrë, veçanërisht masat e marra në vitet e fundit, si dhe përvojën tonë gjatë përgatitjes për aplikacionin SEPA, i cili është dorëzuar në fillim të korrikut të këtij viti”, qëndron në njoftim.
Gjatë takimeve në Prishtinë, drejtoritë e dy bankave qendrore prezantuan praktikat mbikëqyrëse të sistemeve të pagesave dhe ofruesve të shërbimeve të pagesave nën kompetencën e tyre, si dhe projektet dhe aktivitetet që synojnë modernizimin e infrastrukturës së pagesave në të dyja vendet.