Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi, e akuzuar gjithashtu për korrupsion e pastrim parash së bashku me ish-bashkëshortin e saj, Ilir Meta, ka mbërritur pranë ambienteve të GJKKO-së, për t’u njohur me masën e sigurisë së caktuar ndaj saj, atë të “detyrim për paraqitje”.
Në një prononcim të shkurtër për media, Kryemadhi u shpreh se po shkon të përballet me “një sistem drejtësie të kastruar”.
Me këtë, ajo i referohet shpërndarjes së dosjes hetimore të ish-çiftit Meta-Kryemadhi nëpër media.
Kështu, sipas deputetes, shpërndarja e dosjes ka nxjerrë sekret hetimor, kjo e cila në parim është një vepër penale.
Kryemadhi: Po shkoj sot për tu paraqitur përballë një sistem drejtësie të kastruar, nëse inteligjencën nuk e kanë të zhvilluar, për tju treguar nga ata kush e ka shpërndarë dosjen në media që kanë nxjerrë sekretin hetimor. Drejtësia e Edi Ramës nuk është drejtësia që kanë kërkuar shqiptarët. Është drejtësia e propagandës së Edi Ramës.
Sakaq, deri më tani në GJKKO, janë paraqitur Ilir Meta, Monika Kryemadhi dhe Pirro Xhixho, teksa pritet arritja e Ema Cokut.
Për kreun e Partisë së Lirisë, i cili ndodhej në bllokun e sigurisë, ishte i rrethuar nga forca të shumta të uniformave blu, të cilët gjithashtu janë kujdesur që ish-Presidenti të mos kapej nga kamerat e mediave të pranishme.
Ilir Meta u arrestua mesditën e 21 Tetorit në zonën e Kthesës së Kamzës teksa po kthehej nga Kosova.
Mjeti ku po udhëtonte së bashku me sekretarin Organizativ të PL-së, Artemis Peçe, u rrethua nga dhjetëra efektivë të Forcave Operacionale dhe Meta u nxor me forcë nga makina për t’u shoqëruar në Drejtorinë Vendore të Policisës së Tiranës dhe më mbas në Bllokun e Sigurisë ku ka qëndruar për dy netë.
Akuzat që rëndojnë ndaj Ilir Metës, Monika Kryemadhit, Pirro Xhixhos dhe Ema Çokut
Sipas njoftimit zyrtar të SPAK-ut, Meta akuzohet për veprat penale:
- “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në 3 raste nga të cilat në dy raste është kryer në bashkëpunim
- “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë
- “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i cdo personi që ka detyrimin ligjor për deklarim”
Për këto vepra penale, Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për Ilir Metën.
Për ish-bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhi, është caktuar masa e sigurisë “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, për kryerjen e veprave penale:
- “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në 2 raste dhe në bashkëpunim,
- “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim,
- “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i cdo personi që ka detyrimin ligjor për deklarim”
Ndaj të atit të deputetës së Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, Pirro Xhixho, është caktuar masa e sigurisë “arrest në shtëpi”, për veprën penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, e kryer në bashkëpunim.
Së fundmi, ndaj Ema Çokut, u caktua masa e sigurisë “ detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, për kryerjen e veprës penale ““Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim.