Maqedonia falë potencialit dhe traditës bujqësore që ka, në vend se të ketë tepricë të ushqimit dhe prodhimeve bujqësore, ajo ka mungesë dhe shumicën e këtyre prodhimeve e importon nga jashtë, shkruan gazeta KOHA. Prodhimi vendor i drithërave, mishit, vajit të lule diellit, qumështit dhe sheqerit as përafërsisht nuk i kënaq nevojat e popullatës. Gjithashtu, nevojat vjetore të Maqedonisë prej rreth 22 mijë tonë mish viçi dhe po aq të mishit të pulës në një pjesë të madhe mbulohen nga importi. Sipas të dhënave të Entit të Statistikës, në 11 muajt e parë të vitit të kaluar kemi pasur eksport prej 290 milionë euro të ushqimit dhe 159 milion euro të duhanit dhe pijeve, kurse kemi importuar 500 milionë euro ushqim dhe 66 milionë euro duhan dhe pijeve. Kjo do të thotë se kemi një minus në këmbimin tregtar të ushqimit, duhanit dhe pijeve prej 115 milion euro, në vend të eksportit të vlefshëm në së paku qindra milionë euro në ushqim dhe prodhime bujqësore.
Agronomët thonë se në Maqedoni në dy dekadat e fundit dukshëm janë zvogëluar tokat punuese, fondi i kafshëve dhe prodhimtaria e disa kulturave bujqësore, prandaj edhe vendi ngec me prodhimin e ushqimit për nevojat vendore. Gjithashtu, bujqësia në Maqedoni dominohet nga mosha e vjetër dhe fermerë që në mesatare kanë më shumë se 50 vjet, pastaj posedojnë mekanizim të vjetër dhe në mesatare fitojnë më pak se paga minimale në muaj. Nga ana tjetër, vlerësohet se vendosja dhe rritja e vazhdueshme e subvencioneve ka mbajtur gjallë interesimin për t’u marrë me bujqësi dhe ka qenë e mirëseardhur për fuqizimin e pozitës së bujqve dhe rritjen e bujqësisë në Maqedoni. Megjithatë, agronomët kërkojnë të mbahet më shumë llogari se cilat kultura bujqësore mbillen, sa japin rendiment, sa shiten në treg dhe cilat janë efektet reale të subvencioneve bujqësore në vitet e fundit në lavërtari, blegtori dhe bujqësi. “Nevojitet një mbështetje e tillë për sektorin bujqësor që do të rrisë prodhimin vendor të prodhimeve deficitare dhe vendosjen e linjave moderne për finalizim më të madh të lëndës së parë vendore. Gjithashtu dihet se prodhimet blegtorale janë me vlerë më të madhe të shtuar për dallim prej ato bimore, ndërsa për bujqësinë e Maqedonisë, ka një rëndësi të madh të rritet vlera e prodhimit blegtoral në pjesëmarrjen e përgjithshme të bujqësisë prej 35-40 për qind në vend të vlerës së tanishme prej 23.2 për qind. Kjo duke marrë parasysh se raporti i vlerës së bujqësisë ndërmjet prodhimtarisë bimore dhe blegtorale është 73.8 me 22.3 për qind”, thotë eksperti bujqësor, Boris Anakiev.
Nga ana tjetër, ekonomistët vlerësojnë se asnjë vend në botë nuk kënaq në tërësi nevojat e tij për ushqim nga prodhimtaria vendore për shkak se nuk kanë kushte të njëjta për prodhimtarinë e të gjithë prodhimeve bujqësore. Një gjë e tillë nuk është as nuk shpaguhet në aspektin ekonomik, për shkak të harxhimeve të larta nëse nuk keni përparësi komparative apo krahasuese , andaj shtetet preferojnë të rrisin prodhimtarinë vendore dhe eksportin në degët ku janë më konkurrues me çmim , sasi dhe cilësi. Problem tjetër sipas ekspertëve, është edhe zgjidhja e çështjes së problemeve pronësore-juridike të tokës bujqësore, si dhe zgjerimit të shfrytëzimit të saj për shkak se në vend nuk punohen një e treta e tokës punuese dhe vaditjes së saj . Agronomët theksojnë edhe përdorimin racional dhe me kujdes të tokës bujqësore sipas predispozitave që kanë rajone të caktuara për kultivimin e kulturave të caktuara bujqësore. Kjo sidomos duke marrë parasysh se pjesa më e madhe e tokës bujqësore në vend me 20.41 për qind apo rreth 140 mijë hektarë , bën pjesë në klasën e katërt , ndërsa vetëm 2.2 për qind apo rreth 15.375 hektarë janë të cilësisë së parë. Afër 6 për qind apo 40 mijë hektarë tokë janë e klasit të dytë dhe 12 për qind apo rreth 85 mijë hektarë e klasit të katërt nga gjithsej 680 mijë hektarë tokë. Ndryshe, problem tjetër që duhet të zgjidhet është edhe ndërtimi më i madh i rrugëve dhe infrastrukturës për nevojat e bujqve , hapja e qendrave grumbulluese ku do të plasohen prodhimet bujqësore si dhe realizimi në praktikë i kontratave për çmimet minimale mbrojtëse grumbulluese për të gjithë prodhimtarinë bujqësore nën të cilën nuk guxohet të nënçmohet dhe të shkojë huq, mundi i fermerëve.