Më 7 tetor 2025, në ora 12:00, në kampusin e Universitetit Ndërkombëtar Ballkanik (IBU) do të mbahet një ngjarje solidariteti me moton “Free Palestine” (Palestina e Lirë), ku studentët e IBU-së do të bashkohen për të shprehur mbështetjen e tyre për popullin palestinez.
Kjo ngjarje ka për qëllim të rrisë ndërgjegjësimin për tragjedinë humanitare që po ndodh në Gaza dhe për shtypjen e vazhdueshme ndaj popullit palestinez.
Organizatorët theksojnë se qëllimi i aktivitetit është të dërgohet një mesazh i qartë në mbrojtje të drejtësisë, dinjitetit dhe të drejtave themelore të njeriut.
“Solidariteti ynë është një formë paqësore për të treguar se nuk do të qëndrojmë të heshtur përballë padrejtësisë. Si studentë, kemi përgjegjësi të ngremë zërin për ata që nuk kanë mundësi ta bëjnë vetë,” thuhet në njoftimin e studentëve të IBU-së.
Ngjarja pritet të mbledhë studentë, staf akademik dhe qytetarë që duan të japin mbështetjen e tyre morale për popullin e Palestinës.