Ndonëse libri ka 5 cikle, në formën e pashkruar ka edhe një cikël, ai cikël është Universiteti i Tetovës dhe personalitetet brenda tij që kanë reflektuar në procese ku jemi ne sot, ngase kemi thurur legjenda dhe gojëdhëna dhe besoj se nga kjo që e kemi sot, cikli i gjashtë për kombin ka një porosi, që ky libër domosdoshmërisht do të përkthehet në gjuhë të tjera ngase është një pasqyrë e trajtëformësimit të kuptimësisë së jetës sonë në trevat ku jetojmë. ” – u shpreh drejtori i Institutit “Josif Bageri”, Ismet Jonuzi.
Vetë autori i librit, Nazmi Beqiri në hyrje të librit thekson se kohëve të fundit, folësit popullorë, duke folur për krijime popullore, thonë se këto rrëfime nga brezi në brez kanë pasur edhe karakterin e mësimit dhe jo vetëm. “Gjatë analizave e studimeve të hollësishme të krijimeve popullore, na del që, krijimet në fjalë kishin karakter të mësimit, por edhe të edukimit, madje edhe përsosmërinë edukative drejt shkallëve më të larta njerëzore, gjegjësisht “profesionalizmit personifikues”, duke përdorur mjetin modelues. Argument më i bindshëm shkencor është se, që nga krijimet më të hershme popullore, që kemi arritur t’i kemi e deri në përditshmërinë tonë, na është përcjellë besa, bujaria, toleranca, madje edhe përkujdesja për familjen e atdheun apo mëmëdheun. Pa këtë funksion të krijimtarisë në fjalë, shumë personazhe në këto krijime, që këtu u themi personalitete, duke filluar që nga Kostadini e Dorontina e deri te Fehmiu e Xhevë Ladrovci dhe Adem Jashari, nuk do të mund t’i kishin virtytet e njëjta, apo krejtësisht të njëjta, si atëherë, si sot.” – shkruan mes tjerash, në hyrjen e librit, autori Nazmi Beqiri.
Në përmbyllje të këtij libri thuhet se modelimi i personalitetit të çon në fillet e qytetërimit iliro – shqiptar, ku nuk mund të vërehet ndonjë ndasi e madhe nga qytetërimi pellazg. Shembujt e marrë për modelin e krijimit të personalitetit te shqiptarët, nuk mund të ndahen në qytetërime, duke i emërtuar në personalitete pellazge, ilire apo shqiptare, ngaqë lidhen për palcë njëri me tjetrin, përmes elementeve shpirtërore njerëzore. Andaj janë ndarë shembujt e personaliteteve në: mitike, legjendare, historik, të kohës së re dhe bashkëkohore.