Ditët me temperatura tropikale, banorët e fshatit Debresh të komunës së Gostivarit, po i kalojnë pa ujë për pije.
“Dhjetëra shtëpi të fshatit Debresh, këto temperatura ekstrem të larta i kalojnë pa ujë për pije. Mënyra e vetme e sigurimit të ujit është dy orë në mesnatë, duke mbushur këta kova me ujë, për tu shërbyer për nevojat e përditshme. E që kjo gjë të jetë më interesante, komuna ua sjellë muaj për muaj faturat për të paguaj ujin, ujin që nuk e kanë në çezmat e tyre”, raporton Bashkim Sulejmani, gazetar.
“Hiç ujë s’kemi, ndërsa paratë na i marrin për ujin. Ne me bure shërbehemi, ja ejani tek shtëpia ime të shihni buret, madje edhe rrymë harxhojmë për të. Në vit e paguajmë ujin 6.000 denarë e ujë asnjë pikë nuk kemi, e paguajmë vetëm ajrin që e kemi nëpër gypa”.
“Që kur e mbaj mend unë veten Debreshi ka pasur probleme me ujin. Si ja bëjmë ja e sheh vet. Me hidrofor, vjen pak ujë në dy të natës dhe atëherë kur vjen uji e mbushim këtë burën dhe me këtë lahemi neve teshat e tjera. E paguajmë ujin rregullisht por kot s`ka ujë. Jemi ankuar por kot, kujt t`i ankohesh, duhet krejt fshati të mblidhet dhe të bëjmë protesta”.
“Që prej pesë vitesh nuk kemi ujë, ky është problemi. Na thonë se ka probleme rrjeti i Gostivarit, por ja krejt verën e kalojmë kështu. Kam bure, e pres deri në dy të natës ta mbushi dhe të pastrohem”.
“Ndonjëherë herë pas here edhe nga dy ditë nuk vjen. Thonë se e rregullojnë në Vrutok atje. Dikush edhe është ankuar por thonë se ka riparime. Ujë mbushim nëpër burime, e ndonjëherë edhe në Gostivar shkojmë mbushim për nevojat elementare”.
Nga ndërmarrja publike komunale të Gostivarit, na thanë se po punojnë në drejtim të gjetjes së zgjidhjes për furnizim të pandërprerë të banorëve të Debreshit me ujë për pije, por pa precizuar një afat kohor. /Alsat.mk