“Në Spitalin e Lushnjës të del miu nga këmbët”! Deputeti Korreshi flet për fjalimin e bujshëm në Kuvend: E bëra atë natë, ishte spontan! Ju thashë kolegëve ‘do ta ndez tym’!

“Në Spitalin e Lushnjës të del miu nga këmbët”! Deputeti Korreshi flet për fjalimin e bujshëm në Kuvend: E bëra atë natë, ishte spontan! Ju thashë kolegëve ‘do ta ndez tym’!

Deputeti demokrat, Saimir Korreshi, komentoi në emisionin “Frontline” të gazetares Marsela Karapanço, në News24, deklaratat e tij në seancat plenare, që bënë shumë bujë dhe u pritën me të qeshura nga kolegët e tij në sallë.


Në fjalimin e tij të parë në Kuvend, deputeti Korreshi tha mes të tjerash se “Të hysh në Spitalin e Lushnjës të del miu nga këmbët e mos dish nga të vesh. Ku jetoni ju, në çfarë bote? Miu thyen kokën…”.

Lidhur me këtë, deputeti u shpreh se fjalimi i tij ishte spontan dhe i përgatitur natën e seancës plenare, ndërsa shtoi se ai nuk do të jetë një deputet shabllo, me fjalime të përgatitura, por të flasë në foltoren e Kuvendit, ashtu siç flet në përditshmëri me qytetarët. “Jam rritur duke qenë pjesë e politikës, i kam kaluar të gjitha stadet. Unë kam pasur dëshirë për politikë. E kam bindje që Lushnja nuk ka qenë e mirëpërfaqësuar për atë që i takon. Duhen prekur vështirësitë dhe problematikat që ka qyteti i Lushnjës”, tha deputeti në nisje të intervistës.

I pyetur nga gazetarja nëse e kishte menduar që në daljet e tij të parë në Kuvend do kishte një vëmendje aq të madhe, deputeti u përgjigj se “Mund ta kisha ëndërruar, por jo ta mendoja. Unë gjykova të jem ai që jam realisht në jetën e përditshme. Ishte një fjalim spontan, i përgatitur po atë natë, duke pritur Ramën. Lushnja ka shumë problematika, që unë i mbarta në atë takim. Sot ka një impakt, që njerëzit dëgjojnë e shikojnë. Kisha dëshirë që atë që ta thoja, ta bëja me një batutë, që ndoshta duke u përthithur batuta, të dilte ajo që unë doja realisht të thoja”.

Më tej, deputeti komentoi një tjetër deklaratë të tij, që ngjalli të qeshura të shumta në Kuvend, kur tha se “O ju rruani lekët, o ju keni frikë e ja futni vrapit”.
Lidhur me këtë deklaratë, Korreshi deklaroi se “Nëse shikoni pjesën time si flas, unë nuk e prish terezinë time fare se kush qesh e kush jo, nuk e humb toruan, nuk emocionohem, nuk më ngjall asnjë lloj emocioni. Qëllimi im ishte ta çoja fjalimin deri në fund. Momentet e para, ditën e parë, bëra një reflektim, teksa kthehesha, i lodhur, se ishte seancë e gjatë. Më erdhi keq se të gjithë ministrat ikën, deputetët e pozitës ikën. Aty disa ministre të reja u vunë në siklet, se e kishin të përgatitur fjalimin dhe nuk dinin çfarë shkruhej aty. Në momentin final, kur dola unë, erdhi dhe kryeministri, dhe ju thashë kolegëve “tani do ta ndez tym”. U ndjeva mirë që ishin të gjithë dhe mesazhi im do përçohej te 140 veta. Njerëzit kanë ndjeshmëri, se duan që ato hallet e tyre dikush t’i thotë. Mund të gjendet një ilaç, vetëm se ti e ke thënë në Parlament. Aq më tepër, që disa problematika në Lushnjë, që unë i kam thënë në Parlament, kanë filluar të gjejnë zgjidhje. Unë ashtu flas edhe në jetën e përditshme me qytetarët”.