Qindra qytetarët sot në Shkup, nëpërmjet një marshi paqësor, kanë përkujtuar viktimat e pafajshme të gjenocidit të Srebrenicës të ndodhur 21 vjet më parë. Kryetari i komunitetit kulturor të boshnjakëve në Maqedoni, Xhemal Bektoviç , duke folur mbi këtë marsh, ka thënë se masakra e tmerrshme e Srebrenicës, paraqet Holokaustin e dytë në Evropë.
“Me këtë qëllim edhe ne u mblodhëm sot, që përmes këtij marshi të paqes të bëjmë thirrje për pajtim mes popujve, me idenë e valorizimit të drejtë të ngjarjeve historike ashtu që njerëzit të mos harrojnë atë që iu ka ndodhur, sepse zakonisht njerëzit të cilët harrojnë atë që iu ka ndodhur, ajo u përsëritet”, tha kryetari i komunitetit kulturor të boshnjakëve në Maqedoni, Xhemal Bektoviç.
Ndërkohë, nënkryetari i këtij komunitet, Xhevad Hot, theksoi se gjenocidi në Srebrenicë nuk duhet të harrohet dhe se marshi i sotëm kujton vuajtjet e boshnjakëve në Bosnjë e Hercegovinë 21 vjet më parë, dhembjen dhe pikëllimin e së cilës ende e ndiejnë boshnjakët në Maqedoni.
“Komuniteti kulturor i boshnjakëve ka organizuar këtë marsh me qëllimin të ngritjes së ndërgjegjes kombëtare të boshnjakëve, por edhe të të gjitha kombësive të tjera që jetojnë në Maqedoni, që t’ua rikujtojmë ngjarjet e viti 1995 në Bosnjë e Hercegovinë. Boshnjakët e Republikës së Maqedonisë fizikisht ishin larg këtyre ngjarjeve, por mund të themi se me zemra ishim shumë afër tyre”, tha nënkryetari i komuntiteti kulturor të boshnjakëve në Maqedoni, Xhevad Hot.
Masakra e Srebrenicës është më e rënda në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Në korrik 1995, forcat serbe të Bosnjës vranë dhe u varrosën në varre masive mbi 8 mijë burra dhe djem myslimanë në enklavën e Srebrenicës, që ishte shpallur si “vend i sigurt” nga Kombet e Bashkuara. Rreth 15 mijë djem e burra arritën të shpëtojnë duke u larguar përmes pyllit, por shumë prej tyre u vranë nga ushtarët serbë që u zunë pritë të maskuar me uniforma të OKB-së.
21 vjet pas vrasjeve, ende vazhdojnë të gjenden varre masive. Identifikimi i viktimave është i vështirë, pasi trupat ishin copëtuar nga ekskavatorët që i hidhnin në varre. Dhe çdo vit më 11 korrik, eshtrat e atyre që identifikohen gjatë vitit të fundit varrosen në Qendrën përkujtimore të Potocari.
Teuta Buçi /SHENJA/
Në Shkup mbahet marshi i paqes për Srebrenicën by tvshenjaofficial