Entuziazmi dhe krijimtaria shkencore ishin në qendër të vëmendjes teksa nxënës të rinj nga shkolla të ndryshme fillore prezantuan projekte novatore, duke treguar talentin e tyre në fushat e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës. Në mesin e tyre ishte edhe një lavatriçe e rikthyer në miniaturë, e ndërtuar me elektromotor, karton dhe ndriçues. Një shembull që tregon se si edhe gjërat e zakonshme mund të marrin jetë të re në duart e nxënësve.
“Këtu e kemi lavatriçen të cilën e kemi rikthyer në një element të vogël i cili është i ndërtuar me elektromotorin, karton, ndriçues e të tjerë dhe këtu e kemi centrifugën e lavatariçes”, tha një nxënëse, sh.f “22 nëntori” Hasanbeg.
“Ky eksperiment quhet ekuilibri magnetik. Këto monedha nuk qëndrojnë pezull sepse janë të lehta por sepse magneti mbi to i tërheq aq fortë sa i kundërvihet forcës së gravitetit. Kur këto dy forca barazohen krijohet ekuilibri”, tha një nxënës, sh.f “22 Nëntori”, Hasanbeg.
Në këtë ekspozitë shkencore, fëmijët prezantuan planetët dhe vullkanet e improvizuara si dhe sapunët e krijuar në kushte shtëpie. Në seksionin e biologjisë u theksua rëndësia e sistemit kardiovaskular.
“Zemra ka katër dhoma, dy barkushe dhe dy parabarkushe. Zemra qarkullon përmes venave dhe arteret. Detyra e venave është ta sjellin gjakun në zemër ndërsa arteret ta sjellin gjakun në tërë trupin për tu oksigjenuar”, tha nxënës, sh.f “22 Nëntori”, Hasanbeg.
“Këto punime për ne ishin shumë interesante. Ne kemi bë disa punime të ndryshme si: planetët, vullkani, qarku elektrik, filtrimi ujit, strukturën e atomit dhe përgatitja e sapunëve në kushte shtëpie”, u shpreh nxënës, sh.f “Anton Zako Çajupi, fshati Hotel.
Nxënësit e klasave të nënta theksuan se pas këtij përjetimi janë frymëzuar që në të ardhmen të zgjedhin një drejtim arsimor që lidhet me shkencën dhe teknologjinë.
“Është e rëndësishme gjithashtu se kjo na jep një pasion dhe një ide se ku mund të shkojmë në shkollat e mesme. Mendimi im më parë ka qenë të shkoj në një shkollë të përgjithshme por duke e parë se sa kreativ mund të jemi për në shkenca dhe matematika unë mendoj se mendimi im ka ndryshuar kompletisht dhe mund të shkoj me një shkollë ku ka të bëj me shkencat”, tha nxënëse, sh.f “22 nëntori” Hasanbeg.
Mësimdhënësit vlerësuan se ky aktivitet i ndihmon nxënësit të mendojnë ndryshe, të jenë më kërkues dhe më të hapur ndaj dijes. Ekspozita shkencore e filloristëve u organizua nga shkolla fillore “22 nëntori” të Komunës Gazi Babë të Shkupit./Alsat.mk


