Nga fillimi i vitit në rajonin e Pollogut janë regjistruar 17 vepra penale “dhunë në familje” nga të cilat njëmbëdhjetë ishin në rajonin e Tetovës dhe gjashtë në rajonin e Gostivarit. Në njëmbëdhjetë prej tyre janë konstatuar lëndime të lehta trupore, në pesë raste ka pasur rrezikim të sigurisë, ndërsa në një rast ka pasur privim të paligjshëm nga liria.
Nga SPB Tetovë informojnë se përveç 17 veprave penale të cilat janë zbardhur tërësisht dhe kanë përfunduar me parashtresa adekuate, në tre muajt e parë të këtij viti, janë parashtruar edhe 59 ankesa (Tetovë 36 dhe Gostivar 23). Këto raste janë zbardhur me paralajmërim gojor ose me shkrim të të denoncuarve. Në dhunë familjare, më së shumti janë ankuar prindërit, ndërsa arsyet më të shpeshta janë çrregullimet shpirtërore dhe alkooli. Sipas gjinisë, në dhunën në familje më së shumti janë involvuar 15 persona meshkuj, ndërsa ka pasur edhe 3 femra-dhunuese.
“Viktima” më të shpeshta në llojin e tillë të dhunës (15) janë femra, kryesisht bashkëshorte (aktuale, ish, të pakurorëzuar), nëna (3), djem (3). Në 15 prej veprave është përdorur forcë fizike, ndërsa në një armë zjarri. Si arsye më të shpeshta për dhunën në familje edhe sivjet theksohen çrregullimet shpirtërore (15 vepra), alkool (2).
Vitin e kaluar (2017) në rajonin më të gjerë të Gostivarit janë regjistruar gjithsej 28 vepra penale në të cilat janë involvuar po aq autorë. Prej tyre 17 ishin ata që e kanë përsëritur veprën. Shtatëmbëdhjetë janë vepra me shkaktimin e lëndimeve të lehta trupore, 2 rrezik me mjete të rrezikshme, 4 rrezikim të sigurisë, 1 vrasje dhe 4 tentime për vrasje. Në rajonin e Tetovës, vjet janë regjistruar 48 raste të dhunës familjare.