Institucioni kombëtar “Muzeu i Alfabetit shqip” me disa aktivitete programore i shënon ditët e “Kongresit të Manastirit”, ngjarje historike që është mbajtur në Manastir dhe ka përfunduar më 22 nëntor të vitit 1908 kur është marrë vendimi për unifikimin e Alfabetit shqip.
Në njpë deklaratë për MIA-n, drejtori i Muzeut, Nuer Arsllani theksoi se solemnitetit qendror që do të mbahet nesër i paraprijnë më shumë aktivitete programore në hapësirat e institucionit.
“Këtyre ditëve kemi realizuar disa programe edukative me nxënës nga klasa e parë deri në të nëntën, kemi promovuar ekspozitë që dëshmon për periudhën e Kongresit të Manastirit, të ftuar tanë ishin profesorët Arsim Sinani dhe Dorina Dariu nga Tiarana, ndërsa dje kemi mbajtur tribunë shkencore. Me shënimin vazhdojmë edhe sot, në ora 14 në ambientet tona do të mbajmë orë poetike, ndërsa sonte në kinma “Manaki” do të transmetohet një film dokumentar”, theksoi Arsllani.
Manifestime dedikuar Kongresit të Manastirit dhe 22 nëntorit të vitit 1908 përfundojnë nesër në ditën e festës kur në Manastir institucionin kombëtar “Muzeu i Alfabetit shqip”, do ta vizitojnë delegacione qeveritare dhe kuvendore nga Maqedonia, por edhe nga jashtë.
Siç dihet, nga 22 nëntori i vitit 2007, Dita e Alfabetit shqip festohet si festë shtetërore dhe është ditë jopune për qytetarët e komunitetit shqiptar në vend.


