Ramazani njerëzimit i sjell një mesazh të lartë hyjnor, i sjell të mira, dhunti dhe sukses në të gjitha sferat e jetës. Thjesht thënë, muaji i Ramazanit është muaji i revolucionit për ta rimëkëmbur shoqërinë dhe familjen në themelet e Islamit
Mr. Ziber LATA
Islam është një sistem i përsosur hyjnor, të cilin Zoti i madhërishëm e ka sjellë për të mirën e njerëzimit. Pra, çdo urdhër apo ndalesë fetare ka qëllimin dhe dobinë e vet. Allahu fuqiplotë njeriun e ka ngarkuar vetëm me gjërat të cilat i sjellin dobi atij. Zoti i madhërishëm thotë: “Zoti ynë, këtë (gjithësi) nuk e krijove kot.” (Ali Imran, 191) Përderisa asgjë nuk ka krijuar së koti, atëherë si është e mundur që krijesën më të dalluar ta ngarkojë me obligime ‘të kota’?!
Një prej obligimeve me fryte dhe me të mira të shumta është edhe agjërimi. Nuk është thjesht një vepër që prej njeriut kërkon heqjen dorën nga ushqimi, pija dhe marrëdhëniet intime, por është më shumë se kaq.
. Gjithashtu, edhe agjërimi u jep njerëzve një fuqi të lartë shpirtërore, me të cilën myslimani mund ta kalojë tërë vitin nën hijen e Islamit.
Dhuntitë që Islami i ka dhënë në këtë muaj janë të shumta, por ne do t’i përmendim disa prej tyre:
Fillimi i Shpalljes
Vetë zbritja e Kuranit në këtë muaj i shton edhe më shumë vlerën këtij muaji, madje edhe emërtohet si “Muaj i Kuranit”. Pra, Ramazani është ditëlindja e Kuranit.
Ajo që vlen të theksohet është se si ne myslimanët e presim këtë muaj dhe ç ‘përfitojmë prej tij? Nëse dikujt në një datë të caktuar do t’i ndodhte një mirësi e veçantë, atëherë ai do ta përkujtonte atë datë me shumë mallëngjim. Kështu duhet të jetë edhe myslimani, që muajin në të cilin ka zbritur Kurani ta pres me mallëngjim, por jo vetëm duke agjëruar, duke lexuar Kuran dhe duke bërë ibadet, por edhe duke u mundur që mësimet kuranore t’i reflektojë në jetën e tij të përditshme.
Muhamedi (a. s.) gjatë muajit të agjërimit lexonte më shumë Kuran; jo që vetëm të fitojë më shumë shpërblime, por për të mësuar dhe për ta praktikuar më shumë atë që e lexonte.
Vërtet është për t’u habitur me ne myslimanët që muajin e Kuranit e kalojmë me vepra të cilat vijnë në kundërshtim me vetë Kuranin.
Në muajin e Ramazanit në shpellën Hira Muhamedit (a. s.) filloi t’i shpallet Kurani, me të cilin e vërteta njëherë e përgjithmonë dominoi të pavërtetën. Të këtillë duhet të jemi edhe ne myslimanët, që gjatë këtij muaj ta heqim një ves të ligë nga vetjet tona dhe të rrënjosim një veti të lartë morale.
Muhamedi (a. s.) në ditën e njëzet e pesë të muajit të Ramazanit, në vitin e tetë hixhrij, i urdhëroi sahabët që t’i thyejnë idhujt, me të cilën ua bëri me dije se sot e kota më nuk duhet të ketë vend në mesin e myslimanëve dhe, vërtet, ashtu ndodhi në mesin e shokëve të Muhamedit (a. s.) – nuk pati më ndikim e kota. Tani mbetet të pyesim: A thua, vallë, i qëndrojmë besnik Librit të Zotit, Kuranit, dhe fjalës së Muhamedit (a. s.), të cilët na urdhëruan që e liga mos të ketë vend në mesin tonë?!
Ngjarje dhe përgëzime
Përgëzimi dhe urata tregojnë kulmin e një lumturie të caktuar te njeriu. Mirëpo, ajo që ndodh në Ramazan meriton të emërtohet si “Përgëzim madhështor”, sepse ky është muaji gjatë të cilit myslimanët më së shumti kanë për çfarë ta urojnë njëri – tjetrin.
Ramazani është muaji i buzëqeshjes, i lumturisë, i haresë dhe i ngritjes shpirtërore.
A thua, vallë, nuk është për t’u uruar ai njeri që për herë të parë i bie në sexhde Zotit në këtë muaj? A s’është për t’u përgëzuar njeriu për fuqinë shpirtërore, për rendin familjar dhe për ambientin shoqëror që e arrin në Ramazan?!
Muhamedi (a. s.), shokët e tij dhe të gjithë besimtarët e denjë, sukseset më të mëdha i kanë arritur në këtë muaj. Shumica e librave të shenjtë, i fletushkave dhe përzgjedhja e shumicës së Pejgamberëve është bërë në këtë muaj. Ibrahimit (a. s.) fletushkat i zbritën në këtë muaj, Musasë (a. s.) Tevrati iu dha në këtë muaj, Isasë (a. s.) iu zbrit Inxhili po në këtë muaj dhe në fund të këtij muaji u zbrit libri më i përsosur – Kurani dhe u përzgjodh vula e pejgamberëve, Muhamedi (a. s.).
A thua, edhe pas këtyre, besimtarët ende nuk kanë për çfarë ta urojnë dhe ta përgëzojnë njëri – tjetrin gjatë agjërimit?!
Nga kjo që kaloi pamë se Zoti fuqiplotë shumicën e popujve ka filluar ta shpëtojë në Ramazan, pra, kjo periudhë kohore ka qenë një periudhë e vërtetë tranzicioni, por prej errësirës në dritë dhe për një kohë shumë të shkurtër. Kur i kemi parasysh të gjitha këto ndodhi dhe ato që do t’i përmendim më vonë, parashtrohet pyetja: vërtet Zoti gjatë këtij muaji ndryshoi në të mirë shumë njerëz, familje, shoqëri dhe perandori, por çfarë ndikimi lë te ne ky muaj?!
Muhamedi (a. s.) ka thënë: “Kur të vijë muaji i Ramazanit, hapen dyert e Xhenetit dhe mbyllen dyert e Xhehenemit dhe shejtanët lidhen me zinxhir.” Nëse e shikojmë me sy të rëndomtë, është shumë i thjeshtë për t’u kuptuar ky hadith, por nëse ndalemi pak më gjatë, vërtet është shumë shpresëdhënës dhe plot optimizëm. Dikush me vite të tëra nuk është i rehatshëm prej një armiku, ashtu që kur vjen momenti i vënies së tij në pranga, ky njeri do të ketë një gëzim të madh dhe vërtet është për ta uruar, sepse tanimë është i siguruar nga sherri i tij. Edhe besimtari në muajin e Ramazanit është për t’u përgëzuar fort, sepse nuk bëhet fjalë për prangosjen e një armiku, i cili do ta shqetësonte vetëm në këtë botë, por këtu është fjala për armikun që përpiqet t’ia humb jetën e përhershme dhe ta lë të dështuar në përjetësi.
Të mos harrojmë se e gjithë kjo varet nga vetë njeriu, sepse është realitet që Muhamedi (a. s.) dhe besimtarët në muajin e Ramazanit arrinin gradën më të lartë shpirtërore, por në anën tjetër e kemi edhe Abdullah bin Selulin, i cili në këtë muaj ishte në kulmin e nifakut. Pra, Zoti i lidh shejtanët për ata që dëshirojnë vetë t’i lidhin, e për ata që janë përbetuar t’u mbesin besnikë atyre, ashtu do të jetë.
Ta zëmë se një njeri vuan prej kancerit dhe është pranë vdekjes. Vetëm pak ditë para ‘vdekjes’ së tij vjen një mjek dhe i thotë: “Sot më arriti bari më i mirë, i zbuluar në filan datë dhe i lufton të gjitha qelizat kancerogjene, kështu që shërimi yt, dasht Zoti, bëhet realitet.” Pra, ky njeri datën e zbulimit të atij ilaçi do ta shndërronte në ditë feste, sepse është dita e cila në jetën e tij ka ndryshuar shumë gjëra. Nëse gjithë këtë meritë do të kishte dita në të cilën shpëtonte vetëm fiziku i një njeriu, atëherë parashtrohet pyetja: ç’meritë do të kishte dita në të cilën zbritën Kurani, i cili është mëshirë dhe shërim për mbarë njerëzimin?! Allahu (xh. sh.) thotë: “O ju njerëz! Juve ju erdhi nga Zoti juaj këshilla (Kurani) dhe shërimi i asaj që gjendet në kraharorët tuaj (në zemra), edhe udhëzim e mëshirë për besimtarët.” (Junus, 57) Nga ky ajet shohim se me të vërtetë Ramazani paska shumë elemente përgëzuese dhe urata për besimtarët.
Dashuri ndaj njëri-tjetrit
Njeriu është i krijuar prej dy elementeve – shpirtit dhe trupit; secili kërkon ushqimin e vet të nevojshëm. Sa i përket trupit, nuk harron askush ta ushqejë atë, sepse është më konkret dhe nuk pret shumë, kurse sa i përket elementit shpirtëror, Zoti i madhërishëm është treguar i mëshirshëm tejmase, sepse ndodh që dikush tërë jetën ta kalojë në mëkat, e në fund të jetës së tij i kthehet Allahut dhe Ai e fal. Pra, ky njeri tërë jetën nuk e ka ushqyer shpirtin e vet aspak, por Allahu, mëshira e të cilit është e pakufishme, përsëri e mbajti në jetë shpirtin e tij. Kurse një gjë e tillë nuk ndodh me materien.
Këtu hetuam se edhe shpiti, për të qenë aktiv dhe frytdhënës, paska ushqimet e veta. Ushqim i shpirtit është namazi, zeqati, haxhi dhe çdo vepër që e kënaq Allahun e madhërishëm, por ushqimi esencial i shpirtit është agjërimi. Nëse do të pyeste dikush: po, a thua, vallë, agjërimi është edhe më prioritar se namazi?! Sigurisht që jo, sepse namazi formon lidhjet e drejtpërdrejta të robit me Zotin, por për nga gjerësia e ndikimit, muaji i agjërimit konsiderohet si muaji i revolucionit shpirtëror të ummetit islam. Kështu që, në Ramazan ka namaz, zeqat, fitër, vëllazëri, sinqeritet etj. Pra, Ramazani është muaji në të cilin gërshetohen të gjitha ibadetet islame.
Gjithashtu, të mos harrojmë se në Ramazan ka butësi, zemërgjerësi, dhembshuri dhe falje. Myslimani në muajin e agjërimit është më i butë për t’ia shtrirë vëllait të vet dorën e pajtimit. Tregojnë shokët e Muhamedit (a. s.) se ai çdoherë ka qenë i butë dhe i dashur, por më i butë se çdoherë ka qenë në muajin e Ramazanit, sepse ai në këtë muaj mori rrugën e mundimshme nga Medina për në Mekë që t’u thotë atyre që nuk e lanë rehat dhe që e munduan me vite: “Jeni të falur!”
Po ashtu, Muhamedi (a. s.) në muajin e Ramazanit fali një numër të konsiderueshëm nga robërit e luftës së Bedrit. Kurse, me ne myslimanët sot është për t’u habitur, që në Ramazan nuk jemi në gjendje ta falim vëllain tonë. Nëse agjërimi nuk sjell ngrohtësi shpirtërore dhe nuk i jep ato fryte që ua ka dhënë myslimanëve të mëhershëm, atëherë duhet ta rishikojmë mënyrën e agjërimit, sepse ajo është e cunguar.
I dërguari i Allahut ka thënë: “Lutja e agjëruesit nuk refuzohet.” Nga këto fjalë të Muhamedit (a. s.) nënkuptojmë se, përderisa Allahu nuk i refuzon lutjet e agjëruesve, atëherë edhe ne duhet të jemi më bujarë në lutjet tona, pra, të mos jemi koprracë që të lutemi vetëm për veten tonë, por të bëhemi më bujarë dhe më shpirtngrohës për njëri-tjetrit: të lutemi për fëmijët, për vëllezërit, për fqinjin, për farefisin, për shokun, madje edhe për armikun, që Zoti ta udhëzojë në rrugën e drejtë dhe të mos e dënojë përherë në zjarr. Nuk i takon një myslimani që ta fillojë dhe ta përfundojë agjërimin pa mos menduar aspak për hallin e besimtarëve të tjerë, sepse vetë heqja dorë nga ngrënia dhe pirja është simbol i përkujtimit të nevojtarëve.
Ramazani sjell ngrohtësi shpirtërore edhe në familje, sepse ndodh që ndonjë fëmijë me muaj të tërë nuk ka ngrënë ushqim bashkë me të jatin, por Ramazani është ai që i bashkon të gjithë anëtarët e familjes në sofrën e iftarit.
Kurora e shpirtngrohësisë që Zoti e ka dhënë në Ramazan është vetë festa e Bajramit, në të cilën myslimanët duken të buzëqeshur dhe plot gëzim. Vërtet është i trishtueshëm fakti që disa njerëz ditën e Bajramit kurorën e zemërgjerësisë e festojnë me një shpirtngushtësi të paimagjinueshme, duke u munduar që inatin e tërë vitit ta nxjerrë në ditën e Bajramit. Kjo na sinjalizon për një agjërim të pasuksesshëm dhe të pafrytshëm, për të cilin Muhamedi (a. s.) thotë: “Sa e sa agjërues ka që prej agjërimit të tyre nuk kanë asgjë tjetër përveçse uri dhe etje.”
Muaji i ngadhënjimeve
Për të arritur një sukses të veçantë dhe për t’i dhënë jetëgjatësi atij suksesi, nevojitet mundi i palodhshëm fizik dhe fuqia shpirtërore. Koha kur këto dy elemente e gjejnë veten për të avancuar, është muaji i Ramazanit, prandaj edhe në historinë islame sukseset më të mëdha janë arritur në këtë muaj.
Myslimanët nuk janë njerëz që u interesojnë vetëm punët e xhamisë, por janë pishtarë të civilizimeve dhe të sukseseve në fusha të ndryshme të jetës:
Suksesi shkencor. Vetë zanafilla e mesazhit hyjnor që iu zbrit Muhamedit (a. s.) ishte në muajin e Ramazanit, por më e veçantë është se kjo nismë u bë me urdhër për mësim. Pra, fjala e parë në Islam, e cila u shpall në shpellën Hira, në ditën e njëzet e shtatë të Ramazanit, ishte “Lexo!”. Përveç rëndësisë që ka kjo fjalë e parë, këtë e pasoi një libër i tërë për të cilin Allahu i Gjithëdijshëm thotë: “Sikur të gjithë drutë në tokë të jenë lapsa dhe sikur detit t’i shtohen edhe shtatë dete (e të jenë me ngjyrë), nuk do të mbaronin fjalët e Allahut (do të shteroheshin detet, do të soseshin lapsat, e jo mrekullitë e Zotit). Allahu është ngadhënjyesi i urtë.” (Lukman, 27) E gjithë kjo filloi në Ramazan.
Në Ramazan Muhamedi (a. s.) dha urdhër për ata që dinin shkrim-lexim nga robërit e luftës së Bedrit që t’ua mësojnë edhe myslimanëve shkrim-leximin. Po në këtë muaj Pejbamberi (a. s.) e dërgoi Aliun (r. a.) bashkë me disa shokë të tjerë në Jemen që t’ua mësojnë Islamin. Pra, Ramazani e ka edhe frymën e vet shkencore, e jo siç supozojnë të tjerët, duke thënë se muaji i Ramazanit është vetëm muaj i shpirtit. Kjo ide është plotësisht e gabuar, ngase ky muaj është ushqim i shpirtit, i trupit, por edhe i mendjes. Shkurt thënë, Muhamedi (a. s.) është përpjekur që në Ramazan t’i japë fund analfabetizmit dhe ta sfidojë njëherë e përgjithmonë injorancën.
Si e kuptuan myslimanët këtë aktivitet shkencor të Muhamedit (a. s.) në Ramazan? Për ta parë më mirë reflektimin e aktivitetit shkencor të Pejgmaberit (a. s.) në këtë muaj të shenjtë, vlen të përmendim vetëm një shembull nga historia islame: Në muajin e Ramazanit të vitit 359h u themelua Universiteti i Az’harit, kurse në vitin 361, po në të njëjtin muaj, filloi punën. Az’hari ka qenë dhe vazhdon të mbetet çerdhja mijëvjeçare e diturisë islame, prej ku ka dalë një numër shumë i madh i dijetarëve. Kështu e kuptuan myslimanët e mëhershëm Muhamedin (a. s.).
Ndoshta nuk i kemi mundësitë që të bëjmë vepra të mëdha siç bënë myslimanët e mëparshëm, por një gjë të le me gojë hapur me myslimanin e sotëm – fillon dhe mbaron Ramazani, nuk është në gjendje ta mësojë një fjalë kuranore apo një porosi të Pejgmaberit (a. s.), që më pastaj atë t’ua predikojë fëmijëve dhe familjes së vet. Kjo na tregon se ne jemi larg atij Ramazani që e bënte Muhamedi (a. s.) dhe besimtarët e vërtetë.
Suksesi ekonomik. Përveç sukseseve tjera, në Ramazan zë vend edhe suksesi ekonomik. Nuk ka mundësi që të zbuten zemrat e besimtarëve dhe në mesin e tyre të ketë ende njerëz që vuajnë për ushqim. Kjo s’mund të ndodhë, sepse në muajin e Ramazanit është i pranishëm “Sadakatul Fitri”, lëmosha vullnetare dhe preferohet që në këtë muaj të bëhet traditë dhënia e Zeqatit. Pra, bëhet fjalë për një muaj në të cilin mendohet për të gjithë njerëzit, kështu që merret prej të pasurve, u shpërndahet të varfërve dhe në këtë mënyrë skamja ekstreme nuk ekziston, sepse këto që përmendëm më lart bëjnë një normalizim të ekonomisë te të varfrit.
Nëse dikush e prish agjërimin qëllimshëm dhe pa arsye, atëherë njëra nga kategoritë e sanksioneve është t’i ushqesh gjashtëdhjetë të varfër. Gjithashtu, nëse një besimtar është i prekur nga një sëmundje kronike, obligohet që agjërimin e tij ta kompensojë me dhënien e fidjes (ushqim njëditor për një të varfër).
Të gjitha këto kategori na mësojnë se duhet të mendojmë edhe për të varfrit, ashtu që të bëjmë zbutjen e ekzistimit të dy kategorive ekstreme – shumë të pasur dhe shumë të varfër, sepse Islami e kërkon mesin.
Përveç këtyre, Pejgmaberi (a. s.) na ka urdhëruar që në Ramazan t’i vizitojmë të varfrit, fqinjët, bonjakët etj., madje preferohet që ndonjëherë edhe të ndajmë iftare me ata njerëz. Kjo është një punë shumë e lehtë, por kërkon një shpirt të ngritur për ta bërë, ngase neve më mirë na vjen që t’i hedhim ushqimet e mbetura, sesa ta ushqejmë një nevojtar. Fatkeqësisht, kjo është shumë e theksuar në mesin tonë.
Suksesi politiko-ushtarak. Shumë njerëz mendojnë se besimtarët në Ramazan janë të dobët fizikisht për shkak të agjërimit; kjo nuk është e vërtetë, sepse ne kemi raste të ndryshme në histori që na tregojnë se sukseset më të mëdha myslimanët i kanë arritur në Ramazan.
Muhamedi (a. s.) bashkë me shokët e tij arriti ta mposht armikun në Bedër, i cili ishte trefish më i madh. Kjo tregon një sukses të madh luftarak dhe ka një vlerë të madhe, sepse Bedri ishte lufta kur ishte në pyetje të ekzistojë apo të mos ekzistojë Islami. Pra, me fitoren e myslimanëve në Ramazan u bë e dukshme se Islami do të ekzistojë, prandaj le të jetë edhe për ne ky muaj shkak që Islami të jetë më i pranishëm në mesin tonë.
Po ashtu, në ditën e njëzet e një të Ramazanit shihet dukshëm shkathtësia politike e Muhamedit (a. s.), ngase arriti të hyjë në Mekë pa mos u vrarë asnjë person. Në vitin e nëntë hixhrij Muhamedi (a. s.) doli me ushtrinë e tij në Luftën e Tebukut.
Ka të tillë që e akuzojnë Muhamedin (a. s.) se ai ka zhvilluar shumë luftëra, por një veprim i tillë nuk ia ul vlerën Muhamedit (a. s.), por, përkundrazi, njerëzit e shikojnë shkathtësinë e tij politike: Si? Muhamedi (a. s.) gjatë jetës së vet zhvilloi gjithsej njëzet e shtatë luftëra, në të gjitha këto nuk u vranë as edhe një mijë veta nga të dy palët, kurse në luftërat e para që u zhvilluan pas tij, numri më i vogël i të vrarëve, në një luftë të vetme, ishte dhjetë mijë veta. Këtu shihet qartë shkathtësia politike e Muhamedit (a. s.), sepse me pak sakrifica solli suksese të mëdha.
Vërtet myslimanët e hershëm e pasuan Muhamedin (a. s.), duke u munduar që edhe ata muajin e Ramazanit ta shndërrojnë në muaj të suksesve të shumta politike dhe ushtarake. P.sh. Omeri (r. a.) në Ramazan të vitit 15 h arriti t’i merrte çelësat e Kudsit. Në vitin 20 h e çliroi Egjiptin, në krye të ushtrisë me Amër bin El-Asin.
Në vitin 91 h, në muajin e Ramazanit, ushtria myslimane shkel në Evropë dhe fillon çlirimin e Andaluzisë, pra, fillon ta çlirojë një vend i cili më pas do të ketë një kulturë dhe civilizim frymëzues për renesancën e Evropës.
Në muajin e Ramazanit, në vitin 223 h, ushtria myslimane arriti të ngadhënjejë ndaj superfuqisë së asaj kohe, Bizantin. Pra, superfuqia shpirtërore e sfidon superfuqinë fizike. Në Ramazanin e vitit 532 h myslimanët e arrijnë fitoren e parë ndaj kryqtarëve; në vitin 1224 h, po ashtu në Ramazan, osmanlinjtë korrin fitore ndaj Rusisë etj.
Por, të mos harrojmë se këta njerëz para se t’i çlirojnë këto vende, e kishin çliruar veten nga ligësitë dhe kurthet e shejtanisë. Suksesi do të arrihet vetëm atëherë kur nga zemrat të largohen ligësitë, prandaj dhe besimtarët arritën suksese të mëdha në Ramazan, sepse ky është muaji në të cilin më shumë se çdoherë njerëzit kanë mundësi t’i largojnë ligësitë nga zemrat e veta.
Në fund vlen të përmendet se përveç dhuntive të kësaj bote, që Zoti na i fali në muajin e Ramazanit, për këtë kemi edhe shpërblimin e pakufishëm në botën tjetër. Allahu në një hadith kudsij thotë: “Agjërimi është për mua dhe unë shpërblej për të.” Pra, agjërimi ka një shpërblim të pacaktuar tek Zoti i madhërishëm. Zoti me këtë hadith dëshiron të na tregojë se përderisa në botën tjetër shpërblimi është shumë i madh, edhe në këtë botë sukseset dhe dhuntitë e muajit të Ramazanit janë të shumta.
Sa është i pranishëm agjërimi në mesin tonë në këtë formë?! Kjo është një pyetje të cilën duhet t’ia parashtrojmë të gjithë vetes dhe t’i japim përgjigjen e duhur, sepse njeriu vetëm veten nuk ka mundësi ta mashtrojë asnjëherë.