Reporterët pa Kufij i janë përgjigjur kryeministrit Edi Rama në lidhje me raportin e tyre për lirinë e medias, ku Shqipëria renditej në vendin e 83-të, duke shënuar një rënie me tre pikë në krahasim me një vit më parë.
Në reagim, Reporterët pa Kufij nënvizojnë se, renditja e Shqipërisë në vendin e 83-të pasqyron sulmet politike, abuzimin me organet e zbatimit të ligjit, transparencën e ulët dhe kërcënimet ndaj gazetarëve.
“Kryeministër Edi Rama, ne masim lirinë e medias, jo komunikimin e qeverisë. Renditja e Shqipëria në vendin e 83-të (-3) në Indeksin 2026 pasqyron sulmet politike, abuzimin me organet e zbatimit të ligjit, transparencën e ulët të medias dhe kërcënimet ndaj gazetarëve,” thuhet në reagimin e Reporterëve ka Kufij.
Kjo deklaratë erdhi pas një postimi të mëhershëm të kryeministrit Edi Rama, i cili vinte në dukje një vlerësim pozitiv të Agjencisë për Media dhe Informim në një raport të SIGMA-OECD, ndërsa ironizoi duke përmendur “bërbaltje”, që sipas tij, janë bërë nga të 4 anët nga brenda dhe jashtë vendit.
“Deri dje e bombarduan dhe përbaltën nga të katër anët, ca nga brenda e ca nga jashtë, duke vënë kujën e duke harxhuar bojë kot, për raportet e tyre të pavarura jo vetëm nga qeveria, po edhe nga faktet… Por ja që e vërteta qenkesh ndryshe, shumë ndryshe, sepse kjo Agjencia për Media dhe Informim e qeverisë, e pagëzuar në lindjen e saj me bombat e me baltën e pushtetit të katërt, luaka një rol krejt tjetër, e na qenka në shërbim cilësor të mediave dhe të publikut natyrisht.
Dhe këtë nuk po e them më unë. Nuk e thotë as qeveria e një vendi që targetohet rëndom dhe jo rrallë fare kuturu, për lirinë e shtypit. Këtë e thotë raporti i SIGMA-OECD, një ndër ato burime institucionale ndërkombëtare, reputacioni i fortë i të cilave është krijuar mbi respektin për faktet, jo mbi perceptimet, mbi analiza profesionale, jo mbi paragjykime arbitrare, mbi vlerësime objektive të të vërtetave, jo mbi amplifikime subjektive të gjysëm të vërtetave!”, shkroi Rama.


