09 March
Në Maqedoni prej dy vitesh tashmë nuk bëhet transplantimi i veshkave nga donatorë të vdekur. Sipas shoqatës së të sëmurëve nga veshka “Nefron” shkak për këtë është neglizhenca e institucioneve kompetente. Pra nuk është rregulluar çështja e sigurimit të veshkave nga donatorë të vdekur por operacionet bëhen vetëm në rast të sigurimit të organit nga personi i gjallë.
“Për këtë, ne si pacientë apelojmë të formohet sistem dhe trupa pune në institucionet kompetente që do ta punojnë vetëm këtë çështje – tha Dushko Gjeorgjiev, Shoqata “Nefron”.
Para dy viteve prej më shumë se 100 transplantime, 12 kanë qenë nga donatorë të vdekur. Nefrologët thonë se nga fillimi i vitit janë realizuar tre transplantime të veshkës, por vetëm nga donatorë të gjallë.
“Mendoj se pas ngecjes që kishim, programi i rregullt i transplantimit të gjallë funksionon ndërsa kur të vijnë kohëra më të mira, sigurisht përsëri do të vijë edhe ai kadaverik – tha Goce Spasovski, nefrolog.
Në Maqedoni rreth 1500 pacientë janë në dializë. Për ta transplantimi i veshkës nënkupton ndryshimin e cilësisë së jetës. Sot shënohet Dita Botërore e Veshkës ndërsa theksi i fushatës është tek sëmundjet e veshkës dhe pesha e tepërt trupore. Konsiderohet se personat me mbipeshë janë më të rrezikuar për t’u prekur nga sëmundjet kronike të veshkave.
Bojana Simonoviq

