Zinxhiri gjerman i dyqaneve “Drogeri Markt” (DM) solli vendim në mënyrë parandaluese t’i tërheqë nga tregu eko-qullin (ushqim për fëmijë) prej luleshtrydheve, mjedrës dhe mollës me neto-peshë prej 190 gramë, dedikuar për fëmijët më të mëdhenj se katër muaj, afati i së cilit është deri më pesë korrik të vitit 2019. Siç informojnë nga Agjencia për Ushqim dhe Veterinari (AUV) për MIA-n, deri tani nuk ka njoftim se në Maqedoni është bërë import i këtyre prodhimeve.
Sipas AUV, prodhimi, importi dhe lëshimi në qarkullim i ushqimit për foshnjat dhe fëmijët e vegjël në Maqedoni i nënshtrohet regjimit të posaçëm të miratimit.
“Inspektorët e ushqimit në vendkalimet kufitare e kontrollojnë edhe importin e kësaj kategorie të prodhimeve. Përveç gjatë importit, edhe në qarkullimin tregtar shërbimet e inspektimit të Agjencisë kryejnë kontroll të sigurisë së kësaj kategorie të prodhimeve dhe në kuadër të Programit të monitorimit për siguri të ushqimit. Me rezultatet e deritanishme të kontrolleve nuk janë konfirmuar mangësi në këtë kategori të prodhimeve. Në përputhje me Ligjin për siguri të ushqimit, detyrimi i operatorëve me ushqim është në korniza të NASSR planeve të tyre të kryejnë teste të detyrueshme laboratorike të prodhimeve me të cilat do ta vërtetojnë sigurinë. Rezultatet nga testet e tilla kontrollohen nga ana e inspektorëve për ushqim”, thekson AUV dhe shton se do ta ndjekë gjendjen me tërheqjen e qullit për fëmijë në Gjermani dhe nëse është e nevojshme do të reagojë në mënyrë përkatëse.
Në kumtesën e “DM”-së të publikuar dje, thuhet se gjatë kontrollit të njërit prej prodhimeve është konfirmuar prania e detergjentit për larje i cili përmban klor. U vendos që prodhimi të tërhiqet nga shitja, sepse nuk mund të përjashtohet supozimi se edhe në kavanozat e tjerë të xhamit ka nivel të rritur të klorit.
“Mbetjet e klorit në prodhimet është pasojë e përdorimit të ujit me klor gjatë përpunimit të ushqimeve, gjegjësisht gjatë dezinfektimit të aparateve për përpunimin e ushqimeve. Rritja e sasisë së marrjes së klorit në një ditë mundet tek njerëzit ta kufizojë aftësinë për furnizim me oksigjen në gjak, si dhe të shkaktojë pengesa në procesin e përhapjes së jodit në organizëm”, njofton “DM”.
Nga blerësit të cilët kanë blerë ushqimin për fëmijë me datën e theksuar kërkohet të ndalojnë përdorimin dhe ta kthejnë atë në cilindo dyqan të “DM”-së, për të cilin do t’u kthehen paratë në vlerën e shumës së plotë të çmimit të tij të rregullt.