Rektori i deritanishëm i Universitetit të Tetovës, Vullnet Ameti u rizgjodh
në këtë funksion në zgjedhjet për rektor për mandatin e ardhshëm
katërvjeçar, njiftojnë mediat në vend.
Kryetari i Komisionit zgjedhor për zgjedhjen e rektorit, Ejup Ajdini, i
shoqëruar edhe nga anëtarët e Senatit të Universitetit të Tetovës dhe dy
kandidatët për rektorë, në një takim me gazetarët bëri të ditur
përmbylljen me sukses të këtij procesi.
“Në cilësinë e kryetarit të Komisionit zgjedhor për zgjedhjen e rektorit të
Universitetit të Tetovës, kam nderin e veçantë të Ju informoj se në
Universitetin e Tetovës sot u zgjodh Rektori, i cili do të udhëheqë me
Universitetin në katër vitet e ardhshme. Rektori i Universitetit të Tetovës
u zgjodh në pajtim me Ligjin për Arsimin e lartë dhe Statutin e
Universitetit të Tetovës”, tha Ajdini.
Këshilli i Rektoratit, në mbledhjen e mbajtur më 18.05.2017 solli Vendim
për inicimin e procedurës për zgjedhje të Rektorit të Universitetit të
Tetovës.
Po ashtu, ai më tej shtoi se Senati i Universitetit të Tetovës, në bazë të
propozimit të Këshillit të Rektoratit, në mbledhjen e mbajtur sot në të
cilën morën pjesë më shumë se 2/3 e anëtarëve të Senatit, me ç’rast
ishin të plotësuara kushtet themelore ligjore dhe statutare, vazhdoi me
procedurën e zgjedhjes së Rektorit të Universitetit të Tetovës.
“Procedurën për zgjedhjen e Rektorit e zbatoi Komisioni zgjedhor, i
emëruar nga Senati i Universitetit, në përbërje:
1. Prof. Dr. Ejup Ajdini –kryetar, 2. Prof. Dr. Naser Ademi – anëtar, 3. Nora Adili anëtare –studente. Pas votimit të fshehtë, Komisioni zgjedhor përcaktoi se kandidati Dr. Vullnet Ameti – profesor i rregullt, ka marrë gjithsej 22 vota, ndërsa kandidati Dr. Alifeta Selimi – profesor i rregullt, ka marrë gjithsej tre vota, shkruajnë mediat në vend.
Në bazë të rezultateve të votimit, për Rektor të
Universitetit të Tetovës për periudhën e ardhshme katërvjeçare është
zgjedhur Dr. Vullnet Ameti – profesor i rregullt, të cilit i dëshirojmë
sukses në zbatimin e Platformës së pasur programore për punën e
Universitetit”, theksoi mes tjerash Ajdini.
Rektori Prof.Dr.Vullnet Ameti, i cili u rizgjodh në këtë detyrë edhe për një
mandat katërvjeçar tha se verdikti i sotëm i Senatit të Universitetit të
Tetovës për rizgjedhjen e tij në postin e Rektorit në mandatin
katërvjeçar, paraqet një privilegj dhe një detyrim njëkohësisht. /Almakos.com/