11 June
Në Kosovë po mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Procesin zgjedhor po e karakterizojnë parregullsi të shumta, vonesa në hapjen e vend-votimeve, materiale propaganduese, votues fiktiv, votim familjar, shkelje e heshtjes parazgjedhore dhe jo vetëm. Albert Krasniqi nga koalicioni i organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim” foli për parregullsi të tjera evidente.
Tentimi për votime të dyfishta kemi pasur 59 raste. Edhe pse i sanksionuar me Kodin Penal të Kosovës, fotografimi i votës është evidentuar në 131 raste. Ankesa lidhur me listën e votuesve janë raportuar në 1216 raste – deklaroi Ismet Kryeziu, “Demokracia në Veprim”.
Vetëvendosja theksoi se në disa vend-votime votimi madje po bëhet pa u identifikuar aspak votuesit. Shefi i misionit të vëzhguesve nga Komisioni Evropian, Alojz Peterle theksoi numrin e madh të vëzhguesve partiak.
Nuk kemi vëzhguar ndonjë problem të veçantë deri tani, në këtë atmosferë shumë të qetë. Elementi i vetëm për të cilin po dyshojmë është fakti se në disa vend-votime janë prezent më shumë agjentë të partive se sa që është e lejueshme me ligj. Kjo dmth se ka më shumë se dy. Por presim që kjo të mos ketë ndikim – tha Alojz Peterle, Shef i misionit të vëzhguesve nga Komisioni Evropian
Ndërkohë koordinatori i zgjedhjeve nga Policia e Kosovës, Naim Rexha njoftoi se policia po trajton 4 raste.
Deri në këto momente gjithsej policia e Kosovës i ka në trajtim katër informacione të cilat kanë arritur nga qendra të ndryshme të votimeve të cilat është duke i trajtuar në bashkëpunim të ngushtë në nivel lokal me prokurorin përkatës të shtetit – u shpreh Naim Rexha, Koordinator i zgjedhjeve nga Policia e Kosovës.
Mbi 1 milion e 872 000 qytetarë të Kosovës po vendosin për 120 ulëset e Kuvendit. Zgjedhjet po vëzhgohen nga rreth 30 mijë vëzhgues nga organizatat joqeveritare, Bashkimi Evropian dhe ambasadat e akredituara në Prishtinë.
Anesa Aliti