Autoritetet amerikane kanë vënë në pranga shtetasin shqiptar, Sokol Hoxha, i cili ka qenë në kërkim prej tre dekadash për tre vrasje, dy në Shqipëri dhe një në Belgjikë.
Sipas njoftimit zyrtar, arrestimi u krye më 5 maj 2026 nga ekipi i posaçëm i Shërbimit të Marshallëve Amerikanë në Ohio, në bashkëpunim me agjentët e emigracionit ICE, INTERPOL Ëashington dhe policinë e Kettering në Ohio.
Sipas autoriteteve amerikane, Hoxha ishte subjekt i një “Njoftimi të Kuq” të INTERPOL-it, të lëshuar nga Belgjika, pasi ishte dënuar në mungesë për vrasjen e bashkëshortes së tij 19-vjeçare në Bruksel, në gusht të vitit 1997.
Sipas njoftimit, Hoxha gjithashtu ka qenë i kërkuar nga INTERPOL Tirana bazuar në një dënim (në mungesë) për vrasjen e dy vëllezërve në mars 1997. Hoxha kishte qenë në arrati nga drejtësia që kur u kryen vrasjet.
Hetimet zbuluan se pas largimit nga Belgjika, Hoxha kishte përdorur një identitet të rremë dhe kishte arritur të fitonte shtetësi në një tjetër vend europian nën një emër tjetër. Më pas ai dyshohet se kishte hyrë në SHBA dhe kishte siguruar status rezidenti të përhershëm duke fshehur identitetin e tij real.
Sipas autoriteteve, ai jetonte në Shtetet e Bashkuara që prej vitit 2012, ndërsa vijonte të shmangte drejtësinë për krimet e kryera jashtë vendit.
Autoritetet amerikane e cilësuan arrestimin si rezultat të një hetimi gjashtëvjeçar dhe një bashkëpunimi të gjerë ndërkombëtar mes agjencive ligjzbatuese në SHBA, Belgjikë, Shqipëri dhe Mbretërinë e Bashkuar.
Në operacion morën pjesë edhe Departamenti Amerikan i Drejtësisë, Shërbimi Diplomatik i Departamentit të Shtetit, INTERPOL Tirana, INTERPOL Brukseli, policia federale belge, Agjencia Kombëtare Britanike e Krimit dhe Policia e Shtetit Shqiptar.


