Nëse Qeveria do të donte dialog, deri më tani do të ishim të ulur në tryezë dhe nuk do të ishim në rrugë. Kështu deklaroi kryetari i SPOGJ-it, Tërpe Deanovski, gjatë protestës për rritjen e shtesës së pagave për 30 përqind dhe marrëveshjes kolektive. Dita e tretë e protestës u mbajt para Entit Shtetëror të Statistikave. Sindikalistët porosisin qeverinë që protestat e tyre të mos i cilësojnë si grevë.
“Qeveria në vend që të shkruajë komunikata dhe të mohojë gjithçka që themi ne, që nuk është aspak në të drejtë, duhet pak të përkushtojë energji dhe të gjejë mënyra se si ta zgjidh këtë problem. Nëse Qeveria do të donte dialog, deri më tani do të ishim ulur në tryezë, nuk do të ishim nëpër rrugë,”tha Tërpe Deanovski, Kryetar i Spogj.
Deanovski tha se derisa po protestohet për rritje të shtesave në paga, 988 të punësuar akoma nuk e kanë marrë pagën e dhjetorit.
“ Bëhet fjalë për të punësuarit në të gjitha inspektoratet në vend. Për shkak të vonesave të Ministrisë së Financave, e cila nuk i ka ndërmarrë obligimet në kohë, e në pajtueshmëri me ligjet, i la 988 të punësuar pa rroga, pa kredi të kthyera, pa pagesa të faturave në muajin më të gjatë të vitit. Dje kaloi afati ligjorë për pagesën e pagës që duhet të paguhet më së voni deri më datë 15 të muajit, dhe akoma nuk ka informacione kur dhe nëse këta punëtorë do të marrin paga,”tha Tërpe Deanovski, Kryetar i Spogj.
Nga e marta, deri të premten, protestojnë disa të punësuar në administratën e organeve gjyqësore, Ministrinë e Kulturës, Drejtësisë, Ekonomisë dhe Punës, Ekologjisë, Transformimit Dixhital, Transportit dhe Lidhjeve, Entit Shtetëror të Statistikave dhe të punësuarit në Arkivin Shtetëror. Sindikalistët nesër e kanë ditën e fundit të protestave të tyre, ku njëkohësisht njoftuan se do të informojnë se cilat do të jenë hapat që do të ndërmarrin më tej, nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh. /alsat.mk