Gjendja shëndetësore e Pano Rucit, babait të Denis Rucit, një prej viktimave në tragjedinë hekurudhore të Tempit në Greqi, është shumë e rënduar, pasi ndodhet në ditën e 17-të të grevës së urisë, duke kërkuar realizimin e zhvarrosjes të trupit të të birit.
Sipas një deklarate të Shërbimit Kombëtar të Urgjencës (EKAV), Pano Ruci refuzoi t’i nënshtrohej ekzaminimeve mjekësore dhe analizave laboratorike, duke e përkeqësuar edhe më tej gjendjen e tij të rënduar për shkak të grevës.
Një grup mjekësh që e ndjekin nga afër Rucin, publikuan një deklaratë ku theksojnë se afatet kohore po ngushtohen, dhe i bëjnë thirrje autoriteteve të ndërhyjnë për të mos lejuar dëmtime të pakthyeshme në shëndetin e tij.
Sipas mjekëve, pesha trupore e Rucit është më e ulët se sa pritej për një person në grevë urie për 17 ditë, ndërkohë që situata përkeqësohet edhe nga fakti që ai nuk ndodhet në pushim të plotë, por është aktiv dhe në kontakt të vazhdueshëm me qytetarët.
Edhe policia konfirmoi përkeqësimin e gjendjes së tij me një deklaratë të bërë publike pasditen e të martës më 1 tetor.
“Që prej fillimit të grevës së urisë në Sheshin Sintagma, EKAV ka siguruar praninë e ekipeve mjekësore dhe automjeteve të ndihmës së shpejtë. Gjendja shëndetësore e grevistit është monitoruar rregullisht, me matje të parametrave jetikë dhe kontrolle klinike. Megjithatë, ai ka refuzuar çdo herë kryerjen e analizave apo ekzaminimeve mjekësore, duke rritur rrezikun dhe vështirësuar ndjekjen shëndetësore të tij”, thuhet në njoftim.
EKAV sqaroi gjithashtu se, pas një pauze të shkurtër në një hotel ku qëndroi për disa orë gjatë mëngjesit, Pano Ruci është kthyer sërish në sheshin Sintagma, për të vijuar grevën.
Sipas mjekëve të tij, Pano Ruci vuan prej sëmundjesh kronike, aktualisht përballet me hipotension ortostatik, hipoglicemi, dobësi kardiake dhe një sistem imunitar shumë të dobët, çka e bën tepër të rrezikuar nga infeksione të menjëhershme.
Mjekët i kanë rekomanduar të shmangë kontaktin me publikun dhe të qëndrojë i izoluar, për të mos rrezikuar jetën.
Gjithashtu, ekspozimi i tij ndaj temperaturave të jashtme dhe mungesa e kushteve të përshtatshme e përkeqësojnë ndjeshëm situatën. Mjekët sqarojnë se qëndrimi i tij në një ambient të kontrolluar, si një dhomë spitali, do të ofronte më shumë qëndrueshmëri dhe përballueshmëri fizike.
Ndërkohë, edhe pse zhvarrosja i trupit të Denis Rucit ishte planifikuar për ditën e premte, më 3 tetor, avokatja e familjes, Zoi Konstantopulu, kërkoi shtyrje të procedurës, në mënyrë që të mund të caktohet një ekspert teknik për të ndjekur procesin.
Kërkesa u pranua nga autoritetet prokuroriale, dhe zhvarrosja është caktuar të zhvillohet javën e ardhshme.