Kryetari i komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski dhe përfaqësuesi i UNICEF-it, Benxhamin Perks, sot nënshkruan Memorandum për bashkëpunim për ndërtimin e qendrës për zhvillim të hershëm të fëmijëve në shkollën fillore “Jeronim De Rada” në fshatin e Kumanovës, Çerkez.
Qendra do të locohet në një pjesë të shkollës. e cila do të adaptohet për atë dedikim dhe do të përfshijë 60 fëmijë të moshës parashkollore. Sipas Dimitrievskit, kjo është mundësi e mirë që të përfshihen fëmijët e moshës prej tre deri gjashtë vjeç në arsimin parashkollor, duke e pasur parasysh kapacitetin e tejkaluar të kopshteve të fëmijëve në Kumanovë.
“Së bashku me partnerët tanë u gjet mënyra që kësaj kategorie të fëmijëve t’u dilet në ndihmë dhe u dha mundësia për arsimim parashkollor”, tha Dimitrievski.
Investimi, sqaroi është 1,5 milionë denarë, ndërkaq Komuna, merr pjesë me 300.000 denarë. Përfaqësuesi i UNICEF-it, Perks, theksoi se hulumtimet në 20-30 vitet e fundit, tregojnë se periudha më e frytshme për zhvillimin e trurit të njeriut janë disa vitet e para të jetës, kur fëmijët e mësojnë gjuhën, kur fillojnë të shkojnë në shkollë, kur përfitojnë shkathtësi sociale dhe emotive.