Në komunën Çair të Shkupit ka pak parkingje për makina prandaj shoferët janë të detyruar të parkojnë nëpër trotuare duke bllokuar trafikun dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve në këtë mot me borë.
Nga komuna Çair pohojnë se janë në dijeni për problemin dhe gjendjen momentale, por premtojnë se problemi do të zbutet në një të ardhme të afërt me ndërtimin e garazheve në kate, ashtu siç u është premtuar qytetarëve para zgjedhjeve.
“Ne, si institucion do të kërkojmë edhe kontrolle të shtuara për lirimin e hapësirave publike, ku qarkullojnë qytetarët dhe apelojmë për ngritje të vetëdijes kolektive në këtë drejtim”, thonë nga komuna Çair.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme thonë se njësiti për sigurinë rrugore në Sektorin për Punë të Brendshme Shkup ka marrë disa masa kundër veturave të keq-parkuara.
“Njësia për siguri rrugore në vitin 2017 ka lëshuar 1310 dënime për shoferët e pandërgjegjshëm dhe vetura e specializuar e merimangës ka ngritur 660 vetura, në rrugët, “Xhon Kenedi”, “Cvetan Dimov”, dhe “Kemal Sejfulla”, thonë nga MPB. Sipas tyre gjatë muajit shkurt njësiti për siguri rrugore ka reaguar kundër 137 shoferëve, të cilët kanë pakuar makinat në hapësira publike në Çair.
Qytetarët për zaptimin e hapësirave publike nga shoferë të pandërgjegjshëm fajësojnë institucionet, të cilat nuk bëjnë detyrën e tyre.
“Nuk kemi ne faj, faj kanë institucionet përgjegjëse që nuk kanë ndërtuar vende për parkim sikurse janë në anën tjetër të qytetit”, tha një vozitës.
“Fajtor janë organet të cilët nuk i dënojnë këto veprime. Kjo është katastrofë, ne nuk kemi ku të ecim, nëse dalim në rrugë mund të na shkelin sepse gjendja e rrugëve është e keqe”, tha një tjetër qytetar.
“Ministria duhet t’i dënoj këto veprime të shoferëve të pa ndërgjegjshëm, komuna nuk ka ç’të bëjë”, pohoi një kalimtar tjetër.
Mevludin Imeri
Almakos.com