Kompanitë e ndërtimit në komunën Çair të Shkupit operojnë në kundërshtim me ligjin, ndërsa organet kompetente për të dalë në terren dhe për të konstatuar gjendjen faktike dhe të ndëshkojnë shkelësit e ligjit, presin ankesat e qytetarëve, njofton Almakos.
Kompania e ndërtimit “Hoxha” në rrugën “Brigada e Dytë Maqedonase” është duke ndërtuar një objekt banimi pa respektuar masat e sigurisë të parapara në Ligjin për ndërtim. Neni 83 i ligjit kërkon nga kompanitë që kantieret e ndërtimit t’i sigurojnë me mburoja për të parandaluar aksidente eventual ku do të pësonin qytetarët, ndërsa kjo kompani zhvillon aktivitetin e ndërtimit në hapësirë të hapur. Dhe jo vetëm kaq, ajo me materiale ndërtimi ka bllokuar edhe trotuarin e rrugës, ku pengohet qarkullimi i qytetarëve. Këmbësorët për të shmangur grumbullin e materialeve të kompanisë në trotuar janë të detyruar që të kalojnë në rrugën kryesore, ku rrezikojnë të aksidentohen nga makinat.
Komuna e Çairit, e cila ka kompetencë mbi rregullimin hapësinor të territorit, injoron pyetjet e Almakos, lidhur me mosrespektimin e obligimeve ligjore nga kompanitë e ndërtimit. Zëdhënësi i komunës, Kushtrim Alla, tërë ditën nuk është përgjigjur në pyetjet e Almakos të dërguara përmes postës elektronike dhe thirrjeve në celular.
Përgjigje më të çuditshme, Almakos ka marrë nga Inspektorati shtetëror për ndërtim, i cili thotë se kusht për të dalur inspektoret në terren dhe për të vëzhguar situatën është se duhet të ketë ankesa nga qytetarët. Sipas kësaj, kompanitë e ndërtimit mund të ndërtojnë objekte të egra dhe nëse qytetarët nuk ankohen, inspektorati nuk merr masa për ndalimin e ndërtimit. Sipas tyre, ky rast njëherë duhet të shqyrtohet nga komuna, e cila fatkeqësisht, si në shumë raste kur Almakos trajton çështje në kompetencë të tyre, heshtë.
Lidhur me kaosin urbanistik në Çair e pafuqishme është edhe policia, e cila thotë se nuk ka kompetenca në sferën e urbanizimit. Sipas tyre, për këtë çështje kompetente është Komuna Çair, e cila jep lejen dhe cakton kushtet e ndërtimit.
Disa këmbësorë të rastin nuk deshën të komentojnë sjelljen e papërgjegjshme të kompanisë së ndërtimit, sepse nuk duan të kenë kokëçarje me pronarët e kompanisë.
M.I
Almakos