Pushimet verore ndikuan në rritjen e numrit të udhëtarëve në të dy vendkalimet kufitare në afërsi të Dibrës “Blatë” dhe “Xhepishtë” mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Sipas të dhënave të MPB-së, vetëm në muajin maj të këtij viti janë regjistruar mbi 103 mijë udhëtarë në dalje dhe hyrje.
Në vendkalimin kufitar “Blatë” kufirin e kanë kaluar mbi 97 mijë udhëtarë, nga të cilët mbi 50 mijë në hyrje dhe mbi 46 mijë në dalje.
Sipas MPB-së, vitin e kaluar në dalje – në gusht janë regjistruar 41 mijë, që do të thotë se ka rritje mbi 10 për qind, sidomos në dalje të shtetit. Rritja ka të bëjë me udhëtimet për në bregdetin shqiptar nga ana e shtetasve të Maqedonisë së Veriut, ndërsa “Rruga e Arbërit” nga ana e Shqipërisë e ka bërë këtë vendkalim kufitare të dëshirueshëm pasi shkurton shumë rrugën Dibër-Tiranë, vetëm në 72 kilometra, ndërsa më parë ky udhëtim ka qenë 172 km. Dibranët dhe banorët të Gostivarit, Tetovës dhe Shkupit për të udhëtuar në bregdetin shqiptar, sivjet kanë shfrytëzuar pikërisht vendkalimin kufitar “Bllatë” në afërsi të Dibrës, thonë zyrtarë të MPB-së për gazetën KOHA.
Në ndërkohë, në vendkalimin kufitar “Xhepishtë”, poashtu është regjistruar rritje e qarkullimit të udhëtarëve. Sipas policisë, këtë vendkalim kufitar lokal e kanë shfrytëzuar 6100 udhëtarë, nga të cilët për hyrje e kanë shfrytëzuar 3100 dhe për dalje diçka më shumë se 3000 udhëtarë. Ky vendkalim lokal kufitar aktualisht punon nga ora 8 e mëngjesit deri në ora 20 të darkës. (V.S)