Bie zilja e parë në ditën e parë të vitit shkollor për fëmijët e fshatit Banjicë të komunës së Çashkës. Banorët fituan atë që kërkonin, mësim në gjuhën amtare, në gjuhën shqipe. Në klasë të parë u regjistruan 12 nxënës. Tre janë në klasë të dytë dhe shtatë në klasë të tretë.
A jeni të lumtur për fillimin e vitit shkollor? Poo!
Shkolla nuk është ndërtim i fortë, por është modular. Për t’u ndërtuar, autoriteteve ju deshën më tepër se një vit. Gjatë kësaj periudhe, pra gjatë tërë vitit të kaluar shkollor, këta nxënës ndoqën mësimin në mektebin e xhamisë së fshatit. Mektebi nuk plotësonte as kushtet elementare, nuk kishte dritare, as rrymë, e as dysheme. Për ngrohjen gjatë dimrit, kujdeseshin prindërit.
“Cila klasë je tash? E treta. A e përfundove klasën e parë dhe të dytë? Po. Ku ke mësuar? Te mektebi ke qenë? Po. A e ke pasur vështirë atje? Po”, u shpreh një nxënës.
“Tash cila klasë je? E treta. Dy vjet i ke përfunduar, klasën e parë dhe klasën e dytë, a i ke përfunduar shkëlqyeshëm krejt me pesëshe? Po! A je i lumtur tash që ke filluar te shkolla e re me kushte më të mira? Po shumë. Keni banka të reja, karrike të reja, të gjitha kushtet të mira apo? Po. A do mësosh, a do e dëgjosh arsimtarin? Po!”, tha një tjetër nxënës.
Për hapjen e shkollës të kënaqur janë edhe prindërit, por brenga e tyre tani mbetet mungesa e mësimdhënësve si dhe personelit për mirëmbajtjen e higjienës. Për tre klasa, ka vetëm një mësimdhënës.
“Pëlqimet nga Ministria e Arsimit dhe Ministria e Financave i kemi marrë për tre mësimdhënës, një e kemi marrë nga sh.f Liria. Mirëpo shkaku i rrethanave se jemi në muaj të zgjedhjeve, ku kemi pëlqime për sekretar dhe për personelin teknik të higjienës do të duhet të presim një kohë për t’i tejkaluar edhe ato pengesa dhe vështirësi”, deklaroi Jusuf Ahmeti – Drejtor i sh.f. “Dituria”.
Kryetari i komunës së Çashkës ndau vauçerë për çanta për filloristët e kësaj shkolle. Duke pranuar se kjo shkollë nuk e zgjidhë tërësisht problemin, për vitin e ardhshëm shkollor paralajmëron shkollë të re nëntëvjeçare.
“Komuna për momentin po përgatitë projekt për shkollë të re nëntëvjeçare, e vendosur në fshatin Otishtinë, është këtu në afërsi prej pesë kilometrave, mes Çashkës dhe fshatit Banjicë dhe presim që kjo shkollë të përfundojë deri në fund të vitit të ardhshëm. Nga Ministria kemi informacion se pas vitit të ri të shpallin tender dhe deri në shtator eventualisht të përfundojë. Pra ajo do të jetë nëntëvjeçare, do të jetë shkollë e madhe me ndërtim të fortë”, u shpreh Goran Stojanovski – Kryetar i komunës Çashkë.
Nëse nuk ndërtohet objekti i ri shkollor, atëherë këta nxënës pasi të mbarojnë klasën e pestë, do të duhet që mësimin ta vazhdojnë në gjuhën maqedonase në shkollën Todor Janev në Çashkë. Atje nxënësit shqiptarë nuk lejohen të mësojnë në gjuhën shqipe. Pikërisht për këtë problem që nga dhjetorit i vitit 2023, prindërit maqedonas me muaj protestuan para shkollës, duke mos lejuar as kuadrin mësimdhënës të hyjë në objekt. /Alsat.mk