Në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Maqedoni dje kanë votuar 17 qytetarë për zgjedhjet e sotme parlamentare në shtetin fqinj, raporton MIA.
Siç njoftojnë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), për të ushtruar të drejtën e votës në Maqedoninë e Veriut janë paraqitur 55 qytetarë. Prej atje thonë se dita e djeshme e zgjedhjeve në ambasadat dhe konsullatat e Kosovës jashtë vendit ka kaluar pa asnjë problem apo pengesë.
Në zgjedhjet e sotme parlamentare në Kosovë do të mund të votojnë 2.075.868 qytetarë në 941 qendra të votimit dhe 2.533 vendvotime.
Në Kosovë të drejtë vote kanë 1.970.944 qytetarë, ndërsa në diasporë 104.924. Qytetarët e Kosovës në diasporë kanë votuar dje në 30 përfaqësi diplomatike të vendosura në 19 shtete të ndryshme.
Në zgjedhjet e nënta parlamentare në Kosovë që nga shpallja e pavarësisë marrin pjesë 28 subjekte politike, prej tyre 19 parti politike, pesë koalicione, dy iniciativa qytetare dhe një kandidat i pavarur. Janë edhe gjashtë subjekte politike nga komuniteti serb.
Kuvendi i Kosovës ka 120 ulëse, prej të cilave 20 janë të garantuara për pjesëtarët e komuniteteve pakicë. Komuniteti serb ka 10 vende deputetësh, komuniteti boshnjak tre, komuniteti turk dy, komuniteti rom (komuniteti RAE) ka katër, ndërsa komuniteti i goranëve ka një ulëse parlamentare. Pragu zgjedhor është 5 për qind.