Nga Besim Muhadri
– Me rastin e 25-vjetorit të themelimit të Shoqërisë Kulturo-Artistike “Bashkimi Kombëtar” të Nju Jorkut dhe 70-vjetorit të themeluesit të saj, Gjergj Dedvukajt –
Lokali i Gjergj Dedvukaj që ndodhet në “Arthure Avenue” të Bronxit (Nju Jork), njëkohësisht është edhe seli e aktiviteteve të shumta kombëtare. Seli dhe qendër e takimeve të shumta të grupeve, jo vetëm kulturore, por edhe të atyre politike. Atë e kanë vizituar personalitete të shquara të jetës politike dhe kulturore të Amerikës. Në mesin e atyre që kanë qenë në “Giovani’s” të Gjergj Dedvukajt, në “Arthure Avenue” të Bronxit, është edhe ish-presidenti i SHBA-ës, Gjorgj Ë. Bush (Juniori). Po ashtu, në këtë restorant, ka qenë edhe ish sekretarja e shtetit, zonja Hilari Klinton, ish-prefekti i Nju Jorkut, Rudoloph Giuliani, e shumë e shumë personalitete të tjera. Të jetës politike amerikane, si senatorë e kongresmenë.
Aty kanë qenë dhe vazhdojnë të frekuentojnë vazhdimisht personalitete të jetës shoqërore dhe politike nga Shqipëria, Kosova dhe viset e tjera të banuara me shqiptarë. Po ashtu, gjatë kohës së luftës së UÇK-së në Kosovë, në restorantin e Gjergj Dedvukajt, janë bërë shumë takime dhe janë marrë vendime të rëndësishme për financimin e luftës së Kosovës. Për këtë dëshmojnë fakte, qoftë me anë të dokumenteve të ndryshme, qoftë të fotografive të shumta, shkrime nëpër gazeta, të cilat ai i ruan me shumë kujdes.
Gjergj Dedvukaj dhe veprimtaria e tij për çështjen kombëtare?
Gjergj Dedvukaj, baba i katër fëmijëve, i Nikut, Pjetrit, Franit dhe i Dritës, si dhe bashkëshort i Shaqe Dedvukajt, që në moshë të re ka kontribuar shumë për çështjen kombëtare, në afrimin dhe bashkimin e shqiptarëve nga të gjitha viset e vendit, pa dallim feje, krahine apo krahu politik, sepse qëllimi i tij ka qenë uniteti kombëtar dhe ndihmesa për çështjen madhore kombëtare. Një kontribut të jashtëzakonshëm për vite me radhë ka dhënë në zhvillimin e aktivitetit të Klubit “Jusuf Gërvalla”, në kuadër të të cilit u zhvilluan aktivitete kulturore, sportive dhe arsimore.
Për vite me radhë në kuadër të këtij Klubi funksionoi Klubi i Futbollit “Kosova ‘81”, pastaj Shkolla “Naim Frashëri” e viteve të fundit edhe Ansambli “Bashkimi Kombëtar”. Promotor i të gjitha këtyre zhvillimeve, por jo vetëm i këtyre, në çdo kohë ishte Gjergj Dedvukaj. Përherë i palodhur, përherë i gatshëm për të dhënë atë që mundi dhe diti. Për të kontribuar për popullin e tij, për vëllezërit dhe motrat shqiptare, qoftë për atë që jetonin në Kosovën e robëruar dhe viset e tjera shqiptare të robëruara, qoftë për ruajtjen e etnitetit shqiptar në diasporë, për ta ruajtur nga asimilimi.
Në ballë të aktiviteteve kulturore që, për qëllim kanë ruajtjen e gjuhës, traditës dhe kulturë shqiptare. Ndërmarrës i shumë niciativave për të mirën e kombit të tij. Aktualisht kryetar i Ansamblit apo Shoqërisë Kulturore “Bashkimi Kombëtar”, iniciativa për themelimin e të cilës i lindi gjatë marrjes me aktivitete në Klubin “Jusuf Gërvalla”, përkatësisht pas shuarjes së këtij klubi, që ishte një humbje e pakompensueshme për komunitetin shqiptarë të Nju Jorkut.
I lindur më 1953 në katundin Spin të Hotit, Gjergj Dedvukaj për hallet kombëtare, si i ri mësoi nga babai Pashko Marku, që ishte një burrë shumë i nderuar në Malësi. Ishin kohë të vështira atëherë. Varfëri e madhe dhe mungesë e çdo gjëje. Në fshat por edhe në Malësi, në atë kohë askush nuk kishte çifteli. Baba i Gjergj Dedvukajt, Pashko Dedvukaj, i cili i binte nga pak çiftelisë, një ditë del në pazarin e Pejës dhe blen një çifteli dhe një radio, sepse në fshatin e tij në atë kohë, nuk kishte as radio.
Ata ishin të parët në fshat që blenë radio, nga ato radiot e mëdha që ishin aso kohe. Shtëpia ku lindi dhe kaloi fëmijërinë e hershme Gjegj Dedvukaj, ishte në mal, mbi gjithë katundin dhe më afërta me themelet e shtëpisë ku më 6 prill 1911, Dedë Gjo Luli, pas Skënderbeut, ngriti flamurin kombëtar. Pas kësaj kohe Gjegji, që ishte i vogël dhe shkonte në shkollën fillore të fshatit, nisi t’i binte çiftelisë nga pak.
Meqë ishte instrumenti i vetëm jo vetëm në familje, por edhe më gjerë, babai i tij jo gjithmonë e linte t’i binte, sepse kishte frikë se do ta thyente. Shpesh ia merrte nga dora dhe e fshihte diku kua ai nuk mund te gjente, por ia jepte vetëm kur ishte edhe ai aty. Ndërkaq, kur është fjala për radion, Gjegji shpesh e merrte atë, e nxirrte jashtë në shkallët e shtëpisë dhe ia lëshonte zërin, për ta dëgjuar emisionin e Radio Tiranës, për shqiptarët jashtë atdheut. Ia lëshonte zërin në mënyrë që ta dëgjonin tërë fshati.
Gjegji në atë kohë vazhdonte mësimet në shkollën fillore në fshatin e lindjes dhe deri në klasën e tetë, udhëhoqi grupin e shkollës, ku u mor me rënien e çiftelisë, të cilës u mësua t’i binte, pasi që babai ia kishte blerë në pazarin e Pejës. Në kuadër të këtij grupi ishin edhe disa shokë të tij, të cilët jepnin shfaqje në festat e ndryshme në ambientet e shkollës. Një ditë ai përfundoi shkollën tetëvjeçare dhe ishte koha për të vazhduar mësimet në shkollën e mesme, mirëpo kushtet ishin shumë të vështira, për të bërë një gjë të tillë.
Pashko Dedvukaj, ndonëse kishte dëshirë të madhe, nuk kishte mundësi t’i çonte fëmijët e tij në Prishtinë dhe gjetiu në Kosovë, ku në atë kohë shkolloheshin shumica e shqiptarëve që jetonin në trojet e tyre, mjerisht të mbetura nën administrimin e Jugosllavisë, përkatësisht të Malit të zi, ku përveç shkollimit fillore, shkollimi i mëtejmë në gjuhën shqipe, ishte i ndaluar.
Babai i Gjergj Dedvukës, duke parë se situata nuk është e mirë, sepse UDB-ja e shikonte me sy të keq, një ditë vendosi të merrte rrugën e mërgimit dhe të shkonte në Amerikë, me gjithë familjen. Mori nënën e tij, mori bashkëshorten (nënën e Gjergjit) dhe krejt fëmijët dhe erdhi në Amerikë. Ishte viti 1969, kur Pashko Dedvukaj, bashkë me familje arriti në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mirëpo me vete nuk e kishte marrë djalin e madh, Gjergjin, i cili në atë kohë vazhdonte mësimet për prift, në Split.
Gjergj Dedvukaj tregon se i kishte vazhduar mësimet për prift, ngase nuk kishte kushte për vazhdimin e shkollimit diku tjetër, ndërsa aty në Split ku shkollohej për prift, shkolla ishte falas, në të cilën shkollë ai ndoqi mësimet dy vjet. Mirëpo, pas shkuarjes në SHBA-ës, të pjesës tjetër të familjes ai u detyrua të ndërpresë shkollën dhe t’i bashkohet pjesës tjetër të familjes, që tashmë ishin në Nju Jork.
Por, para se të shkonte në SHBA-ës, ai fillimisht qëndron në Itali (siç ishin disa procedura para se të niseshin për në SHBA). Gjatë kohës së qëndrimit të tij në Itali, ai merret me futboll, sepse, pas muzikës atë e kishte për pasion. Në vitin 1970, arrin në Amerikë dhe meqë i pëlqente sporti, veçanërisht futbolli, edhe këtu vazhdon të merret me këtë sport, ndonëse në SHBA-ës nuk ishte shumë i popullarizuar. Në Amerikë, bashkë me bashkatdhetarët e tij shqiptarë, formojnë një grup dramatik, ku vënë në skenë dramën “Shtatë shaljanët” e Ndrekë Lucës.
Kjo ka ndodhur më 1972-in. Në atë kohë edhe në Amerikë, jeta ishte e vështirë. Gjegj Dedvukaj nuk vazhdoi shkollimin e mëtutjeshëm, sepse sapo arrin atje, i vdes e ëma, e cila ishte në moshën 39 vjeçare. Babai i tij, i cili ende nuk e kishte marrë vetën në Amerikë, jetonte ende në kushte shumë vështira ekonomike, ndërsa Gjergji, që ishte më i madhi nga vëllezërit, duhej t’i bëhej krah dhe të mbante familjen e cila, po përjetonte momente të rënda të jetës.
Si u hap Klubi “Jusuf Gërvalla” dhe cili është aktiviteti i Gjergj Dedvukës në këtë Klub?
Kur flasim për Klubin “Jusuf Gërvalla”, i cili për vite me radhë kishte zhvilluar aktivitetin e tij në Nju Jork, është e pamundur që të mos përmendet emri dhe kontributi i Gjergj Dedevukës. Dhe për këtë, ai tregon vet: “Para së të formohej Klubi ‘Jusuf Gërvalla’, ne kishim një qendër që quhej ‘Naim Frashëri’, përmes së cilës kemi zhvilluar aktivitete rreth dy vite. Pas tri jave të vrasjes së Jusuf Gërvallës dhe vëllait të tij Bardhoshit e Kadri Zekës, më 1982 në Gjermani, hapëm Klubin që ia dhamë emrin ‘Jusuf Gërvalla’, në po të njëjtin vend, këtu në Bronx.
Faktikisht ndërtesa ku ishte selia e Klubit, ishte e Rrok Nikçit, i cili na lëshoi vendin dhe aty u bashkuam prej të gjitha trojeve shqiptare. Ishim ne anëtarët e Klubit të mëparshëm që quhej ‘Naim Frashëri’, dhe shumë të tjerë nga të gjitha viset shqiptare. Mirëpo shumica ishim malësorë, nga Malësia e Madhe, sepse kishim ardhur më herët këtu, ndërsa kosovarët sapo kishin filluar të vinin në Amerikë.
Në të njëjtën kohë ishim të lidhur ngushtë më misionin shqiptar pranë OKB-së, prej të cilëve furnizoheshim me libra, gazeta e revista nga Shqipëria, si ‘Zëri i popullit’, ‘Bashkimi’, ‘Zëri i Rinisë’, “Shqipëria e Re” e shumë gazeta e revista të tjera që dilnin në atë kohë në Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë. U zgjodh kryesia e Klubit Kombëtar ‘Jusuf Gërvalla’ dhe pastaj aktivistët u ndanë, që të hapin degë të ndryshme.
Si fryt i këtij aktiviteti të Klubit, së pari është hapur Shoqëria Kulturo-Artistike ‘Dedë Gjo Luli’, nën të cilin emër kemi zhvilluar aktivitetin rreth tri vjet dhe gjithmonë në suaza vullnetare dhe pa asnjë kompensim. Kemi marrë pjesë nëpër aktivitete në ndryshme kombëtare këtu në SHBA-ës, në mesin e komunitetit shqiptar, por edhe në Festivalin Kombëtar të Gjirokastrës më 1983 dhe 1988.
Pastaj, po në kuadër të Klubit, është hapur shkolla shqipe me emrin ‘Naim Frashëri’, që ka funksionuar dhjetë vjet, madje edhe pas mbylljes së Klubit. Meqë në mesin e anëtarëve të Klubit kishte njerëz që e donin sportin dhe merreshin me të, u vendos që të formohej edhe një ekip futbolli, të cilin e emëruam ‘Kosova ‘81’, sepse sapo kishin ndodhur demonstratat studentore të tetëdhjetenjëshit, klub i cili për disa vite me radhë dhe në mënyrë shumë të suksesshme, e vazhdoi aktivitetin. Po në kuadër të Klubit ‘Jusuf Gërvalla’ u hap edhe radiostacioni ‘Zëri i Malësisë’”.
Në kuadër të klubit zhvilloheshin shumë aktivitete. Në mesin e atyre njerëzve që zhvillonin aktivitet dhe kontribuonin në aspektin kulturor dhe kombëtar, ishte edhe rapsodi i mirënjohur kosovar, Bajrush Doda. Gjergj Dedvukaj thotë se ky rapsod na ka ndihmuar shumë në afirmimin e vlerave folklorike kombëtare këtu në Amerikë. Mirëpo, pas disa vitesh shumë të suksesshme, vjen momenti më i padëshiruar, ai i shuarjes së aktivitetit të Klubit “Jusuf Gërvalla”, që ishte një goditje e rëndë për komunitetin shqiptar të Nju Jorkut.
U mbyll një Klub, i cili, bashkë me Ligën Shqiptaro-Amerikane, kishte bërë një punë shumë të madhe në afirmimin e çështjes kombëtare shqiptare, veçanërisht në sensibilizimin e opinionit botëror, për çështjen shqiptare të Kosovës. Vendimi për mbylljen e klubit aktivistit të shquar dhe të palodhur, Gjergj Dedvukajt, i vjen befasishëm dhe e përjetoi shumë rëndë. Pas këtij momenti komuniteti shqiptar në Nju Jork, për një kohë vazhdon të jetojë i paorganizuar dhe filloi të humbiste interesimin për aktivitete kulturore.
Shuarja e aktivitetit të Klubit dhe formimi i Shoqërisë Kulturo-artistike “Bashkimi Kombëtar
Mirëpo, me gjithë shuarjen e Klubit, kjo nuk ndodhi edhe me Shoqërinë Kulturore Artistike “Dedë Gjo Luli”, sepse ishte Gjergj Dedvukaj ai që kujdesej për aktivitetet e kësaj shoqërie. Pastaj u hap Shoqata “Dedë Gjo Luli”, të cilës vendosën t’ia ndërronin emrin dhe t’ia jepnin një emër më gjithëpërfshirës, siç ishte “Bashkimi Kombëtar”. “Vendosëm t’ia jepnim këtë emër sepse, nuk dëshironim që të shkonim me dy emra, ngase në mesin e Shoqatës ‘Dedë Gjo Luli’, kishte anëtarë që ishin edhe anëtar të Shoqërisë Kulturo- Artistike ‘Dedë Gjo Luli’.
Nuk donim të ishim njëkrahinor, por me një përfshirje më të gjerë të komunitetit shqiptar që jetonte dhe vepronte këtu në Nju Jork, sepse në mesin tonë, kishim anëtarë nga të gjitha viset shqiptare. Dhe që nga ajo kohë e deri më tani, jemi duke ecur me këtë shoqëri, me të cilën kemi marrë pjesë pothuajse në të gjitha festivalet”, spikat në mes tjerash Gjergj Dedvukaj.
Dhe formimi me këtë emërtim në mesin e komunitetit u prit mirë dhe kjo po vazhdon edhe gjatë kësaj kohe.
Fillimisht kishte probleme të vogla, për shkak të ndonjë propagande kundër “Bashkimit Kombëtar”. Ashtu sikurse që ishte edhe me Klubin “Kosova ’81”, që njerëzit frikoheshin të shkonin e të luanin, sepse njerëzit e UDB-së që operonin në Nju Jork bënin presion të vazhdueshëm, duke iu thënë se nëse luani për këtë klub, e keni të ndaluar shkuarjen për vizitë familjeve në atdhe.
E njëjta gjë ndodhte edhe me “Bashkimin Kombëtar”. Mirëpo me kalimin e kohës, gjithçka erdhi duke rënë në vendin e vet. Bashkimi Kombëtar, siç thotë Gjergj Dedvukaj- tash nuk është pengesë, sepse përmendet edhe në Mal të Zi, edhe midis Serbisë, Maqedoni dhe njerëzit nuk e kanë problem të shkojnë lirshëm dhe të vizitojnë vendlindjet e tyre atje.
Aktivitet e SHKA “Bashkimi Kombëtar”
Kur flet për Shoqërinë Kulturore Artistike “Bashkimi Kombëtar”, e cila u formua në vitin 1998, Gjergj Dedvukaj ndien një krenari të madhe. Kur kujton rrugëtimin e kësaj shoqërie, vështirësitë etj., ai thotë natyrisht se asgjë nuk ishte e shtruar me lule. Kishte pengesa, vështirësi, mirëpo gjithçka u tejkalua dhe sot ndihet krenar që ka bërë gjithë atë rrugëtim të mbushur suksese dhe krenari kombëtare.
Ai kujton pesë gjashtë vitet, kur në Nju Jork, bashkë me misionin shqiptar që në atë kohë ishte në OKB, kanë marrë pjesë në festën e flamurit, pra 28 Nëntorin, kur në hotelin “Sheraton” në Manhatten, mblidheshim rreth dymijë-tremijë shqiptarë, për të festuar së bashku festën e flamurit. “Në atë kohë, – thotë Gjergj Dedvukaj, – nuk kishte shoqatë tjetër me përjashtim lëvizjes sonë, pra Klubit ‘Jusuf Gërvalla’ dhe misionit shqiptar që ishte pranë OKB-së.
Ishin edhe disa grupe të tjera, si ballistët, zogistët etj., që e festonin këtë ditë ndaras nga ne, mirëpo ata ishin shumë pak në krahasim me ne. ‘Vatra’ ishte kundër misionit shqiptar. Më pas, pas luftës së Kosovës kemi bërë shumë aktivitete, si epopenë e Adem Jasharit, por edhe festa të tjera, si festën e 28 Nëntorit, atë të pavarësisë së Kosovës. Përveç këtu në Nju Jork, aktivitete kemi bërë edhe në vende të tjera të SHBA-së, si në Detroit etj.”.
Një ndër momentet më emocionuese për Gjegj Dedvukajn, është ai i pjesëmarrjes për herë të parë në festivalin e Gjirokastrës. Kjo kishte ndodhur në vitin 1983, traditë që vazhdoi edhe në vitet 1988, 2004, 2009. Shkuarja e shqiptarëve të Amerikës në një kohë kur ende nuk kishte rënë regjimi komunist dhe Shqipëria nuk kishte marrëdhënie diplomatike me SHBA-të, ishte një histori interesante dhe shumë e veçantë.
Prezantimi i tyre si Grupi nga Amerika dhe paraqitja me këngën “Ku po shkoni djem të ri, kujt ia leni këtë Malësi”, me tekst të Sali Manit, të kënduar nga Gjergj Dedvukaj dhe vëllai i tij, Gjoni, këngë që për tematikë kishte ikjen e të rinjve në mërgim dhe braktisjen e atdheut, lënien djerrë të tokave të të parëve, kishte sjellë shumë emocione, shumë lot në mesin e të pranishmëve që përcillnin festivalin folklorik kombëtar në Kalanë e Gjirokastrës.
Vargjet: “Ku po shkoni djem të ri/ Kujt po ia leni këtë Malësi/ Ku po i leni babë e nanë/ Kullat kujt ia keni lane”, janë vargje të thurura me shumë mall e lot. Gjatë interpretimit qanin ata që i interpretonin, që i digjte malli i atdheut, por edhe të pranishmit që e dëgjonin. Ajo këngë më pas u bë shumë e popullarizuar dhe vazhdoi të këndohej në Kosovë, Shqipëri, Mal të Zi, Maqedoni dhe kudo ku kishte shqiptarë. U këndua atëherë e vazhdon të këndohet edhe tani pas 40 vitesh.
Shoqëria Kulturore “Bashkimi Kombëtar” ka marrë pjesë edhe në shumë festivale e aktivitete të tjera kulturore, qoftë në organizimet kulturore të shqiptarëve të Amerikës, qoftë edhe në festivale të tjera, si në Rapshë të Malësisë së Madhe, pastaj në Berlin e gjetiu. Ne festivalin e Rapshës SHKA “Bashkimi Kombëtar”, ka marrë pjesë në vitet 2000, 2003, 2005 dhe 2009, festival që pos me pjesëmarrje e kanë mbështetur edhe materialisht.
Nëse flitet për sukseset e arritura në këto evenimente kulturore, duhet të thuhet se ato kurrë nuk kanë munguar. Pos në festivalin e Gjirokastrës, ku nuk janë futur në konkurrencë për çmime, pra ku nuk i kanë pranuar si grup garues por vetëm si grup përshëndetës, në festivalet e tjera, si në dy festivalet e fundit të Rapshës, përkatësisht më 2005 dhe 2009 kanë zënë vendet meritore. Në kuadër të grupeve garuese më 2009 si grup e kanë zënë vendin tretë, ndërsa solisti Haki Krasniqi zë vendin e parë, më kengën për dëshmorin e kombit, Vezir Ademaj.
Në Gjermani, në Berlin më 13 nëntor të vitit 2004, zënë vendin e parë, me ç’rast marrin mirënjohjen “Ansambli i flamurit”. Pjesëmarrja në këtë manifestim kulturor ka ndodhur menjëherë pas pjesëmarrjes në festivalin e Gjirokastrës. Shkuarja në festivalin e Gjirokastrës, shoqërohet nga një atmosferë tepër madhështore në mesin e pjesëtarëve të ansamblit. Memorie.al