Përkundër paralajmërimit se Aleanca për Shqiptarët do të braktisë qeverinë pas miratimit të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, siç duket kjo do të ndodhë më herët, për shkak se seanca e 27 ku ky ligj është në rend dite u ndërpre ditën e hënë dhe vazhdimi i saj nuk është caktuar ende.
Burime brenda kësaj partie hedhin poshtë spekulimet se dorëheqjet janë deponuar. “Zëvendësministrat e Aleancës do të deponojnë dorëheqjet gjatë ditës së enjte”, – njoftojnë nga ASh. Pas dorëheqjes së zëvendësministrave do të pasojnë edhe dorëheqjet e drejtorëve dhe zyrtarëve të tjerë nga kjo parti.
Të hënën, kreu i ASh-së, Zijadin Sela, deklaroi se prej momentit të miratimit të Ligjit për përdorimin e gjuhëve ASh nuk do të jetë pjesë e një qeverie, e cila, siç tha, mban emrin qeveri reformash dhe reformatore, por fatkeqësisht është shndërruar në lavatriçe të politikanëve të korruptuar dhe të inkriminuar.
Plasaritjet në koalicionin qeverisës ndodhën për shkak të këmbënguljes së LSDM-së për të marrë Ministrinë e Shëndetësisë në këmbim të zëvendëskryeministrit për zbatimin e reformave, edhe pse gjatë marrëveshjes për formimin e qeverisë ky resor i takoi Aleancës për Shqiptarët. Sipas Selës, me përcaktimin që të bëjë ndërrim resorësh dhe jo plotësim të vendeve të zbrazëta, Zaev e shkeli këtë Marrëveshje.