Seanca plenare e Parlamentit për ndryshimet kushtetuese, e cila duhet të nisë të premten, sipas ekspertëve, mund të zgjasë deri në përfundimin e kësaj përbërje parlamentare. Sipas tyre, ka një zbrazëti në Rregulloren e Kuvendit, e cila nuk parasheh se kur mund të mbyllet faza e dytë – debati parlamentar.
“Procedura për ndryshimin e Kushtetutës përbëhet nga pesë faza. Faza e dytë, pra marrja e vendimit për aderim në amendamentin e kushtetutës, është caktuar për 18 gusht dhe në këtë fazë debati parlamentar zgjat maksimumi 10 ditë pune. Mirëpo, ndryshe nga disa faza të tjera të kësaj procedure, për këtë fazë të dytë ka një zbrazëti kushtetuese dhe procedurale në Rregulloren e Parlamentit dhe nuk ka një afat të paraparë në të cilin duhet të përfundojë kjo fazë, pra çështja se çfarë ndodh nëse dy të tretat votave të deputetëve të kërkuara nuk janë arritur, nuk është e rregulluar. Kjo do të thotë se ekziston mundësia reale që ky propozim për ndryshime kushtetuese të mbetet si pikë e rendit të ditës së Parlamentit deri në përfundimin e mandatit të kësaj përbërje parlamentare, por edhe pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare (qoftë të rregullta apo të parakohshme) me radhë, përkatësisht edhe në përbërjen e re parlamentare”, ka thënë për “Frontline” – profesori i së drejtës kushtetuese në Fakultetin Juridik të Universitetit të Evropës Juglindore, Jeton Shasivari.
Më herët, kryeparlamentari Talat Xhaferi ka deklaruar se seanca për ndryshime kushtetuese do të fillojë më 18 gusht, ndërsa debati duhet të përfundojë më 31 gusht, por ka theksuar se votimi mund të shtyhet dhe nëse nuk ka kushte, mund të mos ndodh fare.
Profesorja Ana Çupeska nga Fakulteti Juridik në Shkup thotë se ende beson se përgjegjësia politike do të mbizotërojë te të gjithë aktorët politikë për miratimin e ndryshimeve të nevojshme kushtetuese.
“Retorika që mund të shohim dhe të dëgjojmë sigurisht që nuk na jep asnjë shpresë për të besuar se Mickoski mund të ngrihet mbi interesat e vogla partiake dhe të veprojë si shtetar, në interes të përpjekjeve të përgjithshme të ndërmarra nga shteti që nga pavarësia e tij 22 vjet më parë. Ne kemi pasur periudha shumë të ndjeshme në ndërtimin e vendit tonë, vendimet e marra në ato momente shpesh janë pranuar me indinjatë të madhe nga opinioni, por mbi të gjitha me mençuri dhe përgjegjësi ndaj asaj që është e mira e përgjithshme, e mirë për shtetin dhe qytetarët. Prandaj, pavarësisht gjithçkaje, besoj se do të mbizotërojë përgjegjësia politike që duhet të marrim të gjithë”, thotë Çupeska për “Frontline”, përcjell PRESSonline.
Të premten në Parlament duhet të nisë seanca plenare për ndryshimet kushtetuese. Procedura tashmë ka nisur me faktin se më 25 korrik Komisioni për Çështje Kushtetuese votoi nevojën për ndryshime kushtetuese dhe konkluzionet ia kaloi Parlamentit.
Ndërhyrjet në Kushtetutë i referohen shtimit të pjesëve të kombeve në Preambulën e Kushtetutës, kur numërohen pjesët e kombeve në shtet.
Në formulim: “Qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut, populli maqedonas, pjesë e popullit shqiptar, populli turk, populli vllah, populli serb, populli rom, populli boshnjak e të tjerë”, vihet presje pas fjalës boshnjak dhe shtohet: populli bullgar, populli kroat, populli malazez, populli slloven, populli hebre dhe populli egjiptian.