Edhe pse dje ministri i drejtësisë, Krenar Lloga, paralajmëroi se në seancën e sotme qeveritare do të shqyrtohet propozim-nisma për amendamentet kushtetuese, pas çka do të dërgohen në Kuvend, kryeministri Dimitar Kovaçevski, mohon. Thotë se kjo do të ndodh kur shërbimet do ta kryejnë punën e tyre dhe do të vendosen në rend dite. Këto ditë kryeministri deklaroi se pret që grupet e punës të harmonizohen rreth mbështetjes së ndryshimeve kushtetuese, por sinjale të tilla nuk ka nga VMRO-DPMNE, ata madje akuzojnë se mund të ketë presione ndaj deputetëve për ndryshimet kushtetuese. Kovaçevski hedh poshtë çfarëdo mundësie për presione dhe tha që pret që të respektohen të gjithë kushtet që janë dakorduar në takimin e liderëve.
“Shprehu dëshirë që të jetë pjesë e Qeverisë, ku nga ana ime iu ofrua që të ndahet përgjysmë në mënyrë vëllazërore – kërkoi gjysmën e resorëve, BDI të mos jetë pjesë e Qeverisë dhe në konferencë për media pranoi me kumtesë madje edhe Aleanca edhe BESA thanë që nuk do të jenë. Kjo d.m.th. se VMRO-DPMNE-së i lirohen edhe më shumë resorë dhe së bashku ta sjellim vendimin që të përfundojmë procesin e ndryshimeve kushtetuese, procesin e skirinigut, të hapim dy kapituj, përkatësisht të mbyllim dy kapituj, për shkak se mendoj se jemi të gatshëm për një gjë të tillë nga Klasteri i parë “Fundamentals” dhe më pas mund të shkojmë në zgjedhje”, tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër.
Por siç duket marrëveshja nga takimi i liderëve po interpretohet ndryshe. Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, thotë se pushteti nuk është prononcuar se a i pranon propozimet e opozitës, përkatësisht ndryshimet kushtetuese me prapaveprim, përkatësisht të hyjnë në fuqi pasi Maqedonia të bëhet anëtare e BE-së. Sot edhe zv.Koordinatorja e grupit të deputetëve të VMRO-DPMNE-së, Dafina Stojanovska, deklaroi se nuk i pranojnë ndryshimet kushtetuese nën kërcënime.
“Ne bëmë thirrje për unitet të gjerë kombëtar, duke mos menduar vetëm për maqedonasit etnik në këtë shtet. Kur themi unitet të gjerë kombëtar e kemi fjalën për unitet për mbrojtjen e interesave shtetëror të Maqedonisë. Ne thjeshtë nuk duam që antimaqedonasët si puna e Dimitar Kovaçevskit, të zbatojnë atë që e kanë premtuar, ndërsa e kanë premtuar pa pasur pajtueshmëri, së pari nga populli maqedonas e më pas dhe nga VMRO-DPMNE si partia më e madhe opozitare pa të cilën, siç e shihni, nuk mund të ndodhin ndryshimet e tilla kushtetuese të premtuara dhe nën kërcënim”, deklaroi Dafina Stojanovska, VMRO-DPMNE.
Propozimi nisma për ndryshimet kushtetuese ende ndodhet në Qeveri, ndërsa pritet që së shpejti të kalojë në seancë qeveritare pas çka do të dorëzohen në Kuvend ku duhet të fillojë procedura për ndryshimin e Kushtetutës.