Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, me akuza të reja ndaj pushtetit, se me ndryshimet kushtetuese po synon ridefinimin e shtetit. Mickoski thotë se partnerët e koalicionit LSDM dhe BDI po punojnë që Maqedoninë ta shndërrojnë në shtet binacional, paralelisht me futjen e bullgarëve në kushtetutë nën diktatin e Bullgarisë.
“Deri tek unë kanë ardhur informacione se nuk bëhet fjalë për përfshirjen e bullgarëve në kushtetutë, por flitet edhe për redefinim të plotë të Maqedonisë si shtet, të bëhet shtet binacional, ku do të ekzistojnë dy popuj, pastaj do të ketë disa bashkësi etnike të cilat tani janë pjesë të popujve në kuadër të preambulës së kushtetutës së Maqedonisë.”, – deklaroi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.
LSDM: Mickoski përhap gënjeshtra kundër integrimit
Socialdemokratët konsiderojnë se deklarimet e Mickoskit për ridefinim të shtetit janë gënjeshtra, me qëllimin kryesor bllokimin e procesit eurointegrues.
“Në vend që VMRO-DPMNE të përgjigjet se a do t’i bashkëngjitet bllokut evropian ose do të mbetet peng i së Majtës, Mickoski shpikë budallallëk të ri për ridefinim të shtetit. Është i dukshëm qëllimi i Mickoskit që të ikë nga vendimi për bashkëngjitje në bllokun pro evropian ose do të mbeten me të majtën në anën antievropiane. Kjo është qasje e vjetër e parë e përhapjes së gënjeshtrave, sikurse me bullgarizimin, asimilimin, kantonizimin.”, – theksoi deputetja e LSDM-së, Zhaklina Llazarevska.
Nga VMRO-DPMNE thonë se ata janë në trenin evropian, ndërkaq Mickoski paralajmëroi kryeministrin Kovaçevski se me politikat e tij, në vend që të ulë euroskepticizmin, po formon front antievropian dhe me këtë dëmton interesat e popullit maqedonas.