Qeveria nuk ka një datë apo afat të caktuar se kur do të ndodhin ndryshimet kushtetuese, të cilat janë kusht për vazhdimin e rrugës evropiane të vendit. Ministri i Punëve dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, tha se janë të vetëdijshëm që futja e bullgarëve në Kushtetutë është kusht, por përgjigjen për këtë e kanë dy të tretat prej 120 deputetëve. Sipas tij, vendi duhet të ketë garanci që Bullgaria të mos ketë kushte të reja.
“Unë jam në qëndrimin se nuk duhet të lëshohemi me afate ose me kohë, por duhet të sigurojmë një zgjidhje e cila do të na japë siguri afatgjate, dikush thotë garanci, ja të shfrytëzojmë fjalë më të butë, nëse në opinion ajo pranohet, siguri se rruga drejtë do të jetë e dukshme dhe do të matemi në bazë të kritereve objektive. Asnjëherë nuk kemi thënë se zgjidhja e tillë do të jetë lehtë të gjendet, por obligimi ynë është që të harmonizohemi me të gjithë atë që e flasim gjatë kohë, që e kemi folur para qytetarëve në fushata, që tani e flasim”, deklaroi Timço Mucunski, ministër i Punëve dhe Tregtisë së Jashtme.
Ministri i eurointegrimeve, Orhan Murtezani, përsërit qëndrimin e kryeministrit se ndryshimet kushtetuese nuk duhet të shërbejnë vetëm për hapjen e bisedimeve, por duhet të ofrojë pasqyrë më të qartë të rrugëtimit evropian. Ashtu sikur kolegu Mucunski, edhe Murtezani, theksoi se bllokadat eventuale shtesë nga Bullgaria pas ndryshimeve kushtetuese do ta rriste euroskepticizmin.
“Ne e kemi sqaruar pozitën tonë dhe pse ne fillimisht tregojmë gatishmëri për miratimin e ndryshimeve kushtetuese, megjithatë porosia është e qartë se ndryshimet kushtetuese, miratimi nuk duhet të shërbejë vetëm për hapjen e procesit, por ne patjetër duhet ta dimë saktë se ai proces do të përfundojë dhe kur do të mbarojë. Ne këmbëngulim dhe më tej do të këmbëngulim ta sigurojmë procesin, prej fillimit deri në përfundimin e bisedimeve pasi që sipas nesh, ekzistojnë disa vende të caktuara që prej tani shohim se do të ketë bllokada potenciale nga Bullgaria”, tha Orhan Murtezani, ministër i Çështjeve Evropiane.
Paraprakisht, Qeveria paralajmëroi se do të dërgojë në BE letër me propozime që të zhbllokohet procesi i eurointegrimit, megjithatë letra ende nuk është dërguar, pasi sipas kryeministrit ende bëhen analiza. Nga opozita, dyshojmë se Qeveria do të dërgojë letër të tillë, ndërkaq kërkojnë që në Kuvend të hapet diskutim për planin.
“Thjeshtë vlerësojmë, ose nuk e tregon të vërtetën ose nuk ka kurrfarë plani. Dhe në atë kontekst ishte dhe thirrja jonë që të organizohet seancë kuvendore në të cilën, kryeministri dhe Qeveria përfundimisht do të tregojnë se cili është plani në lidhje me eurointegrimet. A kanë plan si do të vazhdojnë? Do të ndryshojnë diçka? A kanë mbështetje nga Bashkimi Evropian që të ndryshohet diçka, pasi Kuvendi është vendi i vetëm që këto politika duhet të krijohen dhe diskutohen”, u shpreh Venko Filipçe, kryetar i LSDM-së.
Ndryshe, më 15 tetor Maqedonia e Veriut nuk i hapi negociatat me Bashkimin Evropian bashkë me Shqipërinë, pasi nuk e plotësoi kushtin e ndryshimeve kushtetuese. Procesi, tani për tani është i bllokuar. /Alsat.mk