Në Maqedoni rreth 1300 persona në vit humbin jetën si pasojë sëmundjeve që shkaktohen nga ndotja e ajrit. Këto të dhëna u bënë publike disa muaj më parë nga studimi i prezantuar nga Instituti i Shëndetit Publik për rajonin e Shkupit, por ndotja vazhdon edhe pas disa muajsh të mbetet i njëjti shqetësim serioz për vendin edhe përkundër shumë projekteve, pjesa më e madhe e të cilave ka mbetur në sirtar, shkruan Almakos.
Pikërisht lidhur me këtë temë u mbaj debat publik, ku i pranishëm ishte edhe zv. ministri në ministrinë e Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Jani Makraduli, i cili tha se ndikim të madh në ndotjen e ajrit nuk kanë vetëm fabrikat, apo automjetet, por ngrohja e qytetarëve përmes përdorimit të lëndës së drurit apo lëndë të tjera ndotëse. Makraduli, tha se kjo nuk është vetëm çështje politike, por problem për zgjidhjen e të cilit duhet të japin kontribut të gjitha institucionet relevante, por si më me rëndësi përmendi vetëdijesimin e qytetarëve.
“Jemi të gatshëm si Qeveri që të kapemi seriozisht pas zgjidhjes së këtij problem serioz për vendin. Jemi të vetëdijshëm se kjo nuk zgjidhet brenda natës, por do të zbatojmë të gjitha masat që janë të nevojshme, para së gjithash afatmesme dhe afatgjata në mënyrë që të mundemi çdo vit të flasim për ajër sa më të pastër”- tha Makraduli në debatin publik “Mos ia lë tjetërkujt, eja për ajër të pastër”.
Sipas tij nuk e zgjidhin këtë çështje subvencionet, por duhet veprim më gjithëpërfshirës dhe vetëdijesimi nga qytetarët apo bizneset, që të mos ngrohen duke përdorur lëndë djegëse të cila ndotin ajrin.
Lidhur me faktorët e ndotjes së ajrit, pas zgjedhjeve lokale do të prezantohen disa të dhëna të mbledhura, nga një projekt i realizuar së fundmi, tha Jasmina Belçovska- Tasevska, specialiste për inovacione, monitorim dhe zhvillim të projekteve për zvogëlimin e ndotjes së ajrit.
“ Së pari duhet të ndalojmë së vepruarit me parashikime. Duhet të fillojmë nga vetja, që çdo njëri të mbajë përgjegjësi për veprimet e tij në këtë aspekt. Ne kemi filluar te mbledhim të dhëna, të cilat nuk janë shumë, por në këtë periudhë aq ishte e mundur. Masat nuk është e nevojshme të jenë gjithëpërfshirëse, por duhet të dimë saktësisht cilët janë ato elemente që ndikojnë në ndotjen e ajrit. Pranuam ofertë nga një firmë private e cila donte të zbatonte planin që kishte në mënyrë që të marrim më shumë të dhëna për shkaktarët e ndotjes dhe në kohë rekorde, rreth tre javë, në 544 shtëpi kemi mbledhur rezultate për atë se me çfarë ngrohen dhe rezultatet do të prezantohen pas zgjedhjeve lokale”- tha Jasmina Belçovska- Tasevska, specialiste për inovacione, monitorim dhe zhvillim të projekteve për zvogëlimin e ndotjes së ajrit.
Ndërkohë sipas, Eli Pesheva, anëtare e Koalicionit 02 për ajër të pastër, në ndotjen e ajrit ndikojnë edhe mjetet e transportit dhe kjo sipas saj mes te tjerash është një tregues se për zgjidhjen e këtij problem ka jashtëzakonisht shumë punë për t’u bërë.
“ Veturat apo mjetet e transportit ndikojnë në ndotjen e ajrit. Kjo nuk mund të zgjidhet edhe aq lehtë, sepse duhen bindur qytetarët për të bërë ndryshim në këtë pjesë. Kjo është e vështirë, sepse për shembull, mund të duhet të bëhet ndryshimi I disa pjesëve të veturave të tyre që do të zvogëlonin ndotjen e ajrit, por kjo ka kosto dhe këtu edhe fillon dyshimi se qytetarët mund të binden për një ndryshim të tillë. Pra kjo do të kërkojë shumë punë, për fillimin e të cilës nuk duhet humbur kohë. Kjo çështje nuk mund të zgjidhet me projekte, por duhen hapa konkret” – tha Eli Pesheva.
Në vitin 2013, sipas të dhënave të agjencisë evropiane EUA, Maqedonia renditej në vendin e parë sa u takon vdekjeve të parakohshme si pasojë e ndotjes së ajrit ,me 30,4 për qind. Ndërsa sipas studimeve të fundit, tre qytete të Maqedonisë bëjnë pjesë në 10 qytete më të ndotura në Evropë.
/Almakos.com
Përgatiti: Evi Shkopi